Zemra e Agim Doçit, poetit të talentuar, autorit të teksteve të mijëra këngëve shqipe, të qindra këngëve për Kosovën, që i këndoi pa pushim jetës, atdheut, lirisë, dashurisë dhe njerëzve, pushoi së rrahuri.

Poeti mbylli sytë sot në moshën 76-vjeçare në reanimacionin e Shërbimit të Neurologjisë në QSUT ku ndodhej i shtruar prej 22 qershorit pasi pësoi hemoragji cerebrale.

yacht hotel sarande

Burimet nga spitali bëjnë me dije se Doçi u nda nga jeta sot (24 qershor) në mëngjes në orën 06:00 ndërsa ceremonia e varrimit do të mbahet ditën e nesërme në Tiranë, ndërsa homazhet do të zhvillohet në orën 11:00.

Bashkëpunëtorët e tij ishin këngëtarë të njohur të skenës shqiptare  Aurela Gaçe, Anjeza Shahini, Parashqevi Simaku, Leonora Jakupi, Myfarete Laze, Bleona Qereti, Albërije Hadërgjonaj, Françesk Radi, Kastriot Tusha, Luiz Ejlli, e shumë e shumë të tjerë.

“Lamtumirë Lamtumirë, Agim Doçi.
O pendë artë e vargut poetik e të kënduar në breza.
Te kjoftë dheu i lehtë ashtu si të lehtë, të bukur, e bëre jetën tonë , plot shpres, mençuri , dashuri, patriotizëm , vlera , duke skalite në mos harresë emrin Agim Doçi. Ashtu si trokite në çdo zemër me vargun tënd të kënduar . Lamtumirë Agim Doçi”
 shkruan këngëtarja e njohur Myfarete Laze në një postim në facebook duke shprehur ngushëllime  familjarëve të tij ‘’ Pushofsh në paqe me Zotin tënd’’

Agim Doçi ndodhej i shtruar në QSUT prej të shtunës, 22 qershor, pasi kishte mbërritur me urgjencë me ambulancë nga Spitali Bashkiak i Pogradecit ku kishte ndodhur goditja në tru. Ai ishte shtruar në spital në Qendrën Stroke, pasi kishte shfaqur çrregullim të të folurit dhe pamundësi në ruajtjen e ekuilibrit

Suksesi ne Eurovizion
Me  vargjet e këngës “Imazhi yt” dhe zërin e këngëtares së talentuar Anjeza Shahini,  në vitin 2004 Shqipëria arriti të merrte renditjen më të lartë deri tani në Festivalin europian të këngës.  Kënga e kënduar në anglisht, me titull ”The Image Of You”  u vlerësua me 106 pikë duke u pozicionuar në vendin e 7 nga 24 vende konkurruese.

Agim Doçi ka shkruar edhe tekstin e një tjetër kënge pjesëmarrëse në Eurovizion, në vitin 2009, e kënduar nga Kejsi Tola  me titull “Më merr në ëndërr” e renditur në natën finale në vendin e 17-të.

I këndonte gëzimit dhe jetës

Në festivalet e këngës ishte fitues i mbi 50 çmimeve, krijues i  më shumë se 3.000 tekste të këngëve që janë kënduar nëpër festivale i kanë rezistuar kohës dhe vijojnë të dëgjohen dhe sot. I këndonte gëzimit, dashurisë dhe jetës  Mes tyre “Nata” e Aurela Gaces,  “Loçka jeme” kënduar nga Albërie Hadërgjonaj, ‘Ma ke prish gjumin e natës’ kënduar nga Sabri Fejzullahu dhe Ledina Çelo. Veçohet bashkëpunimi me kompozitorin Edmond Zhulali në shumë këngë të festivaleve në Shqipëri.

I këndonte dhe Kosvoës e patriotizmit

Ka shkruar dhjetëra këngë patriotike dhe 100 këngë për luftën e Kosovës, ndër të cilat “A vritet pafajësia”, “Ti Shqipëri më jep nder” të kënduar nga Kastriot Tusha dhe Manjola Nallbani, i “Marrshi i UCK-së” kënduar nga Arif Vladi, “A vritet pafajsia” nga Leonora Jakupi.

Inxhinieri elektrik që u bë poet

I lindur më 9 maj 1948 u arsimua në Shkodër deri në gjimnaz dhe ka vazhduar më pas studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike. Ka punuar si inxhinier në Montimet Industriale duke marrë pjesë në shumë objekte të rëndësishme si Fabrika çimentosh, Metalurgjik, Superfosfat Laç, Poligrafik Tiranë etj. Në vitet e fundit të ’80 ka punuar pranë Kombinatit të Drurit “Misto Mame” si kryeinxhinier për energjinë. Në 1989 dënohet duke u caktuar të punojë me tre turne në fabriken e letër-kartonit. Përfshihet në lëvizjet e dhjetorit 1990. Ka botuar disa libra me poezi si ‘Hajde dru me pre’, ‘Rrëzuar mbi vetminë’, ‘Rituali i kryqëzimit’. /Shqiptarja.com

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu