
Gazetari Artur Zheji u nda nga jeta në mënyrë të papritur pasditen e sotme. Zheji ishte me pushime me familjen e tij në qytetin bregdetar të Sarandës dhe dyshohet se ka pësuar arrest kardiak.
Gazetari po festonte me familjen datëlindjen e të birit, Patrik, në një restorant në rrugën “Butrinti” në Sarandë dhe nuk është ndjerë mirë. Menjëherë ata kanë telefonuar një ambulancë, e cila ka marrë Zhejin rreth orës 16:10 për ta dërguar në spitalin “Petro Nako” të Sarandës, por atje ka mbërritur pa shenja jete.
Reagime të shumta kanë ardhur për ndarjen nga jeta të Zhejit, jo vetëm nga bota e medias, por edhe nga ajo e politikës. Ministri Taulant Balla shkroi “Shumë, shumë i trishtë lajmi për ndarjen e parakohshme të gazetarit Artur Zheji. U prehsh në paqe mik!”
Gazetari Zheji lindi më 29 gusht 1961 dhe u nda nga jeta në moshën 64-vjeçare. Ai la pas bashkëshorten, dhe dy fëmijët, djalin 22-vjeçar dhe vajzën 19 vjeç.
Zheji është angazhuar për dekada në fushën e gazetarisë dhe publicistikës në Shqipëri. Ka mbajtur funksione drejtuese në disa media, si tek RTSH dhe gazeta Mapo. Veprimtaria e tij përfshin analiza politike, shkrime editoriale dhe drejtimin e programeve televizive. Që nga viti 2017, ai është drejtues i emisionit politik dhe analitik 360 Gradë.
Njoftimi i Policisë:
Rreth orës 16:10 ambulanca e Spitalit Rajonal Sarandë ka marr në afërsi të Restaurant Layos në rrugën Butrinti shtetasin Artur Petro Zheji i datëlindjes 26.09.1961 banues në Tiranë, i cili kishte probleme shendetesore. Ky shtetas ka ndërruar jetë gjatë transportit me Ambulancë.