Komuniteti shqiptar në Argjentinë dhe më gjerë është në zi pas ndarjes nga jeta të At Alejandro Greco, Kryepeshkop i Kishës Ortodokse të Shqiptarëve të Diasporës në Amerikën Latine. Ai ishte një figurë kyçe në ruajtjen dhe promovimin e identitetit shqiptar në Amerikën Latine, duke shërbyer si një urë lidhëse mes diasporës shqiptare dhe rrënjëve të saj kulturore e shpirtërore.

Në reagimin e tij në rrjete sociale, Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe njëherësh Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, ngre lart figurën e At Alejandro Greco: “Shqiptarët e Argjentinës sapo më lajmëruan për ndarjen nga jeta të drejtuesit të kishës shqiptare atje, At Alejandro Greco. U prehtë në paqe ky misionar dhe atdhetar i paepur, bir i shqiponjës, siç kishte dëshirën ta quanin miqtë e tij.”

I lindur në Buenos Aires, At Greco rridhte nga një familje pasardhëse e dinastisë Muzaka, të cilët nga San Benedetto Ullano në jug të Kalabrisë, u zhvendosën në Argjentinë më 1950, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Një mik i Papa Franceskut me të cilin ndanin origjinën nga Argjentina, Padre Alehandro e kishte vizituar Shqipërinë apo Tokën e Shenjtë siç e quante ai në vitin 2014.

At Alejandro Greco ishte i njohur për përkushtimin e tij ndaj çështjeve kombëtare shqiptare. Ai shpesh merrte pjesë në aktivitete kulturore dhe kombëtare, duke theksuar rëndësinë e unitetit dhe ruajtjes së identitetit shqiptar në diasporë.

Nën drejtimin e At Grecos, Kisha Ortodokse Shqiptare në Argjentinë u bë një qendër e rëndësishme për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditave shqiptare. Ai theksonte rëndësinë e përdorimit të gjuhës shqipe në shërbimet fetare dhe në aktivitetet kulturore, duke inkurajuar komunitetin të mësojë dhe të flasë shqip. Për At Grecon, të qenit prift nënkuptonte edhe të qenit patriot, duke shërbyer jo vetëm në aspektin shpirtëror, por edhe në ruajtjen e identitetit kombëtar.

At Greco ishte i njohur për organizimin e aktiviteteve që promovonin kulturën dhe historinë shqiptare. Ai udhëhiqte festime të Ditës së Flamurit dhe Ditës së Pavarësisë, ku komuniteti shqiptar në Argjentinë mblidhej për të festuar me veshje tradicionale, këngë dhe valle shqiptare. Në këto ngjarje, ai theksonte rëndësinë e ruajtjes së identitetit dhe krenarisë kombëtare.

At Alejandro Greco kishte një lidhje të drejtpërdrejtë shpirtërore dhe institucionale me Fan Nolin, themeluesin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare në SHBA. Në një intervistë, ai deklaroi se ishte shuguruar nga një linjë peshkopësh të cilët ishin shuguruar nga vetë Fan Noli, duke e bërë kështu pjesë të trashëgimisë së drejtpërdrejtë të kësaj kishe. Kjo e vendos At Grecon si vazhdues të misionit të Nolit në diasporën shqiptare në Amerikën Latine, ku ai shërbeu si Kryepeshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare të Diasporës.

Ndarja nga jeta e At Alejandro Greco është një humbje e madhe për komunitetin shqiptar në Argjentinë i cili humb njeriun qe ka dhënë kontribut të çmuar në ruajtjen e identitetit fetar dhe kulturor të diasporës.

Përkushtimi i tij ndaj komunitetit dhe puna e palodhur për ruajtjen e kulturës dhe gjuhës shqipe do të mbeten një frymëzim për brezat e ardhshëm.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu