Është ndarë nga jeta në moshën 58-vjeçare në Mynih të Gjermanisë, Artan Lame, pas një ndërhyrjeje në zemër. Lajmi i papritur ka sjellë një valë reagimesh dhe dhimbje në botën akademike, politike dhe atë të shoqërisë civile në Shqipëri.

Artan Lame njihej si publicist, opinionist dhe koleksionist i pasionuar, por edhe si një nga figurat më të angazhuara në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare. Ai ishte aktiv në shoqërinë civile dhe për shumë vite kontribuoi si studiues i historisë shqiptare dhe si funksionar i lartë në administratën shtetërore.

Gjatë karrierës së tij, Lame mbajti poste të rëndësishme publike:

  • 1999–2000 – Drejtor i Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës
  • 2000–2002 – Nënkryetar i Bashkisë së Tiranës
  • 2002–2005 – Zëvendësministër i Territorit dhe Turizmit
  • 2013–2019 – Drejtor i Përgjithshëm i ALUIZNI-t
  • 2019–2025 – Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK)

Artan Lame ishte gjithashtu një figurë e njohur brenda Partisë Socialiste, ku kontribuoi për vite me radhë si veprimtar politik dhe intelektual i angazhuar.

Reagimet pas ndarjes së tij nga jeta kanë qenë të shumta. Kryeministri Edi Rama shkroi: “I pabesueshëm, po fatkeqësisht i vërtetë lajmi i befasishëm i ndarjes nga jeta të Artan Lames. Jam pa fjalë. Ngushëllime Mirelës, djalit të tyre dhe familjes e shokëve të përbashkët.”

Ndërsa ministri Taulant Balla u shpreh: “Lamtumirë miku dhe shoku im i mirë Artan Lame. Do na mungosh shumë.”

Lame do të mbahet mend për qetësinë, përkushtimin dhe pasionin e tij për historinë dhe trashëgiminë shqiptare, si dhe për rolin e tij aktiv në jetën publike dhe shtetërore të vendit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu