
Nata e dytë e festivalit Sunny Hill solli për herë të parë në Prishtinë këngëtarin e njohur botërisht, Shawn Mendes.
Publiku në Kosovë këndoi bashkë me të, duke krijuar një atmosferë magjike.Pas një nate të parë të mbushur me performanca të fuqishme, adhuruesit e festivalit u rikthyen në hapësirat e Sunny Hill-it, më 2 gusht 2025, për të dëgjuar nga afër artistin kanadez, Shawn Mendes. Nata e dytë nisi pak orë pas mesditës.
Pas performancave të këngëtares Yanina dhe reperit Lluni, këngëtarja e famshme shqiptare Era Istrefi elektrizoi skenën me këngën “BonBon”, e cila vazhdon të jetë një hit ndërkombëtar.Në hapësirat e festivalit u pa edhe ylli i muzikës pop, Dua Lipa, e cila këtë natë po shijonte performancat e kolegëve të saj shqiptarë dhe ndërkombëtarë.
View this post on Instagram
Pjesëmarrësit ndanë në rrjetet sociale video ku shihej Dua duke kënduar dhe kërcyer gjatë performancës së Era Istrefit në skenë. Më pas, në skenë u ngjit reperi anglez Sainté, këngët e të cilit u mirëpritën nga publiku në Kosovë.“S’dua të iki në shtëpi, dua të rri këtu,” – ka thënë ai gjatë njërit prej momenteve të tij në skenë. Pas tij, radha i takoi duos ikonike të skenës shqiptare, MC Kresha dhe Lyrical Son.
Ata e nisën performancën me shumë energji, ndërsa si çdo vit tjetër, pika kulmore ishte interpretimi i këngës “Semafori”, që tashmë konsiderohet si himni i festivalit.Më pas, në skenë u ngjit këngëtari i njohur i hip-hopit shqiptar, Ledri Vula, i cili e hapi performancën me këngën “Krejt shokët e mi”.Gjatë kohës në skenë, Ledri falënderoi Dua Lipën, Dukagjin Lipën dhe organizatorët e tjerë të festivalit për mundësinë dhe atmosferën.Ndërsa, kryefjala e natës së dytë, Shawn Mendes, e nisi fuqishëm performancën e tij nën dritën e fishekzjarrëve.
“Faleminderit që na keni ftuar. Është shumë bukur të jemi këtu për herë të parë,” – tha ai.Mendes këndoi mbrëmë hitet e tij si “Stitches”, “Treat You Better”, “Señorita” dhe të tjera.Kur performoi këngën “Treat You Better”, skena mori një tjetër energji, pasi e gjithë audienca këndoi bashkë me të.Ai u bë i njohur në vitin 2013, kur filloi të postonte cover-e muzikore në platformën Vine, duke fituar menjëherë një numër të madh ndjekësish.
Mbrëmë në Prishtinë, ai nisi turneun e tij “On the Road Again Tour”, i cili do të përfundojë në Los Angeles më 17 tetor 2025.Mendes ishte artisti i fundit që performoi në skenën kryesore të festivalit, ndërsa festa vazhdoi në skenën “C4” deri në orët e para të mëngjesit.Emri kryesor i “after party”-t ishte DJ brazilian Mochakk, i njohur për ritmet e tij në zhanret techno dhe house.
Natën e tretë, më 3 gusht 2025, priten emra të tjerë të njohur si Anyma, Tommy Gold, Adrian Berisha dhe Peggy Gou.Festivali, i themeluar në vitin 2018 nga këngëtarja me famë botërore me origjinë nga Kosova, Dua Lipa, dhe babai i saj, Dukagjin Lipa, është festivali më i madh muzikor në Kosovë. Ai synon ta vendosë vendin në hartën e festivaleve më të mëdha muzikore në Evropë./kallxo