
Tiranë, 31 maj 2025 – Partia Demokratike ka përshëndetur deklaratën e fortë të Samuel Samson, Këshilltar i Lartë në Byronë për Demokraci, të Drejtat e Njeriut dhe Punën (DRL) në Departamentin Amerikan të Shtetit, e cila u përcoll për publikun shqiptar nga Ambasada e SHBA në Tiranë.
Sipas PD-së, qëndrimi i SHBA-ve në mbështetje të lirive individuale rezonon drejtpërdrejt me kauzat e saj politike dhe me realitetin e rëndë që po kalon Shqipëria nën regjimin e Edi Ramës. Në deklaratë përmenden katër shtylla që z. Samson ka evidentuar si problematike: shtypja e fjalës së lirë, lehtësimi i emigrimit masiv, shënjestrimi i besimit fetar dhe minimi i integritetit të zgjedhjeve – të cilat PD i quan baza të narko-regjimit të Edi Ramës.
“Është një denoncim i qartë i narkoshtetit që ka ngritur Edi Rama përmes bashkëpunimit me patronazhistët dhe kartelët e drogës,” thuhet në deklaratën e PD-së.
Partia Demokratike thekson se këto fenomene përbëjnë kërcënim jo vetëm për opozitën dhe demokracinë, por edhe për vetë themelet e partneritetit transatlantik, siç e ka theksuar z. Samson në mesazhin e tij.
Në përfundim, PD rikujton se ka mbështetjen e qartë të Rezolutës së IDC-CDI që kërkon krijimin e një qeverie teknike për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. “Jemi të vendosur për rikthimin e shtetit ligjor dhe të demokracisë funksionale në Shqipëri,” thuhet në reagim.