Gjykata e Napolit ka dhënë vendimin përfundimtar në procesin e bujshëm mbi vdekjen e Luca Piscopo, adoleshenti 15-vjeçar që humbi jetën në dhjetor 2021 pas një intoksikimi të dyshuar ushqimor të shkaktuar nga sushi i konsumuar në një restorant në zonën Vomero.

Dënimi: 2 vite e 6 muaj burg për pronarin

Gjykatësi monokratik Giuliana Taglialatela dënoi me 2 vite e gjysmë burg pronarin kinez të restorantit japonez “all you can eat”, ku Luca kishte konsumuar ushqimin para se të shfaqte simptomat e forta të helmimit. Ai u shpall fajtor për vrasje nga pakujdesia, si dhe për shkelje të rregullave të higjienës dhe ruajtjes së ushqimeve.

Ndërkohë, u shpall i pafajshëm mjeku i familjes, i cili ishte akuzuar për mosveprim, pasi nuk e vizitoi të miturin në ditët e përkeqësimit të gjendjes.

Vdekja e Lucas lidhet me salmonelën

Sipas prokurorisë së Napolit, 15-vjeçari ka ndërruar jetë si pasojë e një miokarditi, që sipas ekspertëve, lidhej me infeksionin nga salmonela, të kontraktuar gjatë konsumimit të ushqimit në restoran. E njëjta bakteriologji u gjet edhe te shoqet që darkuan me të atë ditë, të cilat u trajtuan në kohë.

Luca u trajtua në shtëpi për disa ditë, pa u vizituar nga mjeku i tij, gjë që sipas akuzës mund t’i kishte kushtuar jetën.

Reagimi i familjes: “Një vendim i padrejtë”

Në sallën e gjyqit ishin të pranishëm prindërit e adoleshentit dhe shumë nga shokët e tij. Nëna, Maria Rosaria Borrelli, e cilësoi vendimin si “të padrejtë”.

Gjykata urdhëroi gjithashtu që pronari të paguajë 45 mijë euro për secilën nga palët civile të përfshira në proces.

Restoranti u mbyll pas ngjarjes

Dy ditë pas vdekjes së Lucas, lokali u mbyll nga NAS (Njësia e Karabinierëve për sigurinë ushqimore), pas konstatimit të shkeljeve të rënda higjieno-sanitare. Restoranti nuk ekziston më.

Luca, një student shembullor në Liceun “Pansini” të Vomeros, ndodhej me katër shoqe kur konsumoi sushi që dyshohet të ketë qenë shkaku i tragjedisë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu