
NGA LUTFI DERVISHI
Nëse ka një politikan që koha e vendosi menjëherë si “sanduiç” mes “të vjetrës që shembet dhe të resë që po lindte”, ky është Fatos Nano.
Ai e nisi karrierën politike në anën tjetër të barrikadës. Në momentin kur diktatura po shkërmoqej përballë presionit të kohës dhe studentëve, ndryshe nga shumë intelektualë, ai u rreshtua me Partinë e Punës. Në Dhjetor 1990, u shfaq si “njeriu liberal”, fasada që regjimi kishte nevojë ta përdorte për të treguar se “po ndryshojmë edhe ne”. Nga sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave shumë shpejt arriti majën e piramidës.
Në shkurt 1991, u emërua kryeministër në qeverinë tranzitore, për t’u përballur menjëherë me grevën e minatorëve, e cila e rrëzoi qeverinë e tij.
Vetëm katër muaj më pas, në qershor 1991, ai u zgjodh kryetar i partisë trashëgimtare të PPSH-së. Detyra ishte gati e pamundur: transformimi i komunistëve në një forcë socialiste.
Kjo ishte, ndoshta, sfida e tij më e madhe: të bënte që 120 mijë anëtarë të PPSH-së të ndërronin mentalitetin, statusin, stilin, dhe të pranonin se kishte ardhur një epokë tjetër; se pushteti nuk u takonte vetëm komunistëve dhe se përballë nuk ishin armiqtë, reaksionarët, ballistët e zogistët, por shqiptarët.
Në 22 mars 1992, Partia Socialiste (PS) humbi thellë në zgjedhjet parlamentare, shenjë se shqiptarët prisnin ndryshim rrënjësor. Vetëm tre muaj më pas, në zgjedhjet lokale, PS u rikuperua shpejt. Kjo rimëkëmbje tregon aftësinë e Nanos dhe të ekipit të tij për të reflektuar, për t’u riorganizuar dhe për të mbijetuar politikisht.
Ndërkohë, erdhi arrestimi dhe burgosja i tij, në një proces që la më shumë hije sesa dritë. U akuzua dhe dënua për abuzim detyre dhe falsifikim dokumentesh, në lidhje me ndihmat italiane. Burgu çimentoi postin e kryetarit të partisë dhe e ktheu në “martir” politik. (Është nga ata që në fillimin ka bërë burgun, me pas zullumet – thoshte me shpoti një vëzhgues i hollë i jetës politikës)
Kur vendi ra në kaos total në vitin 1997 (kolapsi i skemave piramidale), Nano u rikthye në krye të PS-së me premtimin e madh: “Do të kthehen paratë e humbura.” Ai nuk u hakmorr për çfarë kishte pësuar; përkundrazi, u përpoq të ringrinte ekonominë e rrënuar dhe të qetësonte sa të mundte një vend të armatosur deri në dhëmbë.
Vetëm 14 muaj më pas, pas vrasjes së deputetit demokrat Azem Hajdari, dha dorëheqjen, duke ia lënë drejtimin dy të rinjve të Forumit Rinor Eurosocialist (Majko-Meta).
Në 2002, u rikthye për herë të tretë si kryeministër. Në këtë mandat, ai provoi të balancojë pushtetet, të punojë për pavarësinë e institucioneve dhe të siguronte që rotacioni të bëhej në kutinë e votimit dhe jo në rrugë apo me dhunë.
“Organizmi i zgjedhjeve të lira e të ndershme është më i rëndësishëm se rezultati” – kjo thënie që i atribuohet Nanos nuk shprehte vetëm një ideal larg realitetit të kohës, pasi u bë realitet shumë shpejt.
Në këtë periudhë shënohet edhe paqja e madhe politike, pas një konflikti të gjatë me rivalin e tij Berisha. (zgjedhja e Presidentit me konsensus, disa emërime në Gjykatën e Larte/Kushtetuese, reforma zgjedhore)
Në kohën e “qeverisjes” së tij (2002-2005), pushteti u nda jo vetëm me aleatët, por edhe brenda vetë Partisë Socialiste, duke lejuar shfaqjen e figurave të forta politike edhe brenda kabinetit, edhe brenda grupit parlamentar.
Në retrospektivë, ajo çka quhej dhe akuzohej për korrupsion në kohën e tij, shpesh duket si lojë kukullash kur krahasohet me aferat e dekadës së fundit, një kontrast i dhimbshëm që e vendos periudhën e Nanos në një dritë tjetër, ku e ku më të zbehtë, krahasuar me aferat dhe babëzitë e sotme për pushtet dhe pasuri.
Në 2005, PS humbi zgjedhjet parlamentare, dhe Nano dha dorëheqje nga drejtimi i partisë. Fishekët e fundit të kapitalit politik në Parlament i përdori që Bamir Topi të zgjidhej President më 2007.
Në vitin 2012 e synoi vetë postin e kreut të shtetit, por e kuptoi menjëherë se sa i vetmuar kishte mbetur. Dëshira dhe këmbëngulja e tij për t’u rikthyer përplasej me një të vërtetë brutale: miqtë e shumtë në politikë janë të përkohshëm dhe i takojnë vetëm pushtetit, jo personit.
Vitet e fundit i kaloi në heshtje, si një burrë që i kishte bërë herët dhe me intensitet betejat e mëdha, kryesisht të imponuara nga koha dhe fati.
Nano ishte njeri me pasione dhe vese (pija, kumari, neglizhenca), të cilat e bënë shpeshherë objekt kritikash dhe përfoljesh.
Ironikisht, natyra e tij “liberale” dhe vetë veset e bënë më njerëzor, më të aksesueshëm, duke krijuar një kontrast që i vuri në pah edhe më shumë virtytet e tij. E quajtën liberal, por toleranca ishte ves i tij.
Reformimi dhe demokratizimi i PS-së, ndarja e pushteteve (në krahasim me përqendrimin e sotëm); organizimi i zgjedhjeve të lira (krahaso sot pas 20 vitesh); dorëzimi i pushtetit dhe ngulitja e idesë se shteti nuk i përket një partie të vetme, janë kontributet e Fatos Nanos në tranzicionin shqiptar.
Në retrospektivë politike, Fatos Nano spikat si “sanduiçi” që dha një hapësirë “liberalizmi” midis dy modeleve të fuqishme dhe shpesh autoritare të qeverisjes: pushtetit të centralizuar të Sali Berishës në vitet ’90 dhe dominimit të gjatë autoritarist të Edi Ramës në dekadën e fundit.
Ai u thirr në skenë në Dhjetor 1990 dhe jetoi 15 vite intensive politike. U largua i qetë si nga drejtimi politik, ashtu edhe nga kjo jetë, duke lënë pas një trashëgimi të debatueshme, por të pamohueshme!
 
            
 
	