Mungesa e pasaportës shqiptare për emigrantët rrezik për legjitimitetin e zgjedhjeve/PD jep zgjidhjen në Kod
Partia Demokratike nuk ka ende një qendrim ultimativ për kërkesën që të gjithë shtetasit shqiptarë me pasaportë të vlefshme të vendeve të BE, SHBA, Kanada të lejohen të votojnë me këto dokumenta prej andej ku jetojnë. Megjithatë, nënkryetari i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili drejton edhe grupin parlamentar, beson se pengimi i kësaj kategorie për të votuar ka lidhje me legjitimitetin e zgjedhjeve.
“Patjetër që po! Do të ishte njësoj sikur ne të bënim zgjedhjet pa mundësuar të drejtën e votës qytetarëve që jerojnë jashtë. Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese që thotë se çdo shtetasi, aty ku është, do të duhet t’i mundësohet e drejta për të votuar. Dhe këta janë shtetas të Republikës së Shqipërisë. Kërkesat burokratike nuk mund të mohojnë një të drejtë kushtetuese.”- u shpreh Gazment Bardhi në një intervistë me gazetaren Elona Meço, në emisionin “Pa Censurë”, në RTSH.
Partia Demokratike e ka depozituar amendamentin e saj në Kuvend, pasi e konsideron të paplotë ndryshimin ligjor të kërkuar nga KQZ-ja vetëm për afatin e rregjistrimit të partive në zgjedhje, që i jep KQZ-së më shumë kohë për të dërguar dhe për të marrë mbrapsht zarfin me fletën e votimit. “Duke qenë se procedura për të marrë një dokment të ri është e tejzgjatur, kërkon kohë dhe shpenzim ditësh nga shtetasi shqiptar në emigracion, ne duhet ta shmangim këtë burokraci dhe të lejojmë që ata të ushtrojnë të drejtën e votës në distancë duke u identifikuar me pasaportën apo ID biometrike të shtetit ku jeton.
Qëllimi i dokumentit të identifikimit është që të përputhë individin me dokumentin që ata paraqesin. Besoj se siguria në vendet anëtare të BE, Kanadasë, SHBA është shumë e lartë dhe kjo është një garanci për të mundësuar të drejtën e votës së qytetarëve të Republikës së Shqipërisë.”-argumentoi nënkryetari i PD-së.
Bisedimet për këtë çështje sapo kanë nisur, por nga PS nuk duket se ka një vullnet për të përmbushur këtë kërkesë të demokratëve, të cilën e kanë cilësuar si një alibi për humbjen e pritshme.
Një argument për të cilin Gazment Bardhi ka edhe një përgjigje. “Nëse ne po e përdorim këtë për alibi, atëherë detyra e qeverisë është ta heqë këtë alibi, por unë besoj që ajo që duhet të prevalojë është që çdo shtetas i Republikës së Shqiërisë, i cili është në listën e zgjedhësve të RSH t’i mundësohet kjo e drejtë kushtetuese, duke hequr çdo burokraci dhe pengesë artificiale.
E drejta kushtetuese e votës nuk lidhet kurrë me burokraci dhe me dokumenta, por vetëm me elementin, nëse ky individ gëzon apo jo shtetësinë shqiptare.”- theksoi zoti Bardhi në emisionin “Pa Censurë”.
Sipas zotit Bardhi, Ministria e Brendshme, nga e cila varet prodhimi i pasaportave dhe kartave të reja të identitetit e ka humbur besueshmërinë e trajtimit të njëjtë të shqiptarëve. Ai iu referua zgjedhjeve të Himarës, ku, siç pohoi Gazment Bardhi, u pajisën në kohë karta dhe pasaporta mbështetësit e PS-së, ndërsa dokumentat e mbështetësve të opozitës mbërritën pas ditës së votimit.
/rtsh.al/