
Gazetari Osman Stafa ka dorëzuar një kallëzim në SPAK ndaj drejtuesve të QSUT, ministres së Shëndetësisë Albana Koçiu dhe zv/ministrat përgjegjës për mosfunksionimin e pajisjes për “brakiterapi” e cila është jetike për çdo grua që po lufton me kancerin gjinekologjik.
Sipas Stafës, pajisja për brakiterapi, një trajtim jetik për pacientët me kancer, është lënë pa mirëmbajtje dhe nuk funksionon. Gazetari thotë se kallëzimi është vetëm hapi i parë në një betejë për të sjellë drejtësi dhe për të marrë përgjegjësitë për këtë situatë të rëndë.
Postimi:
E bëra këtë kallëzim jo për veten time. E bëra për çdo grua që po lufton me kancerin gjinekologjik dhe që ka nevojë për brakiterapi, një trajtim i domosdoshëm që nuk bëhet aktualisht në Shqipëri, sepse pajisja është lënë pa mirëmbajtje.
Nuk është thjesht një pajisje. Është një mundësi jete. Dhe kur shteti harron të mirëmbajë një pajisje që shpëton jetë, kjo nuk është më neglizhencë, është krim. Ky kallëzim është vetëm hapi i parë. E vërteta nuk do fshihet më. Heshtja nuk është më opsion./Dosja