
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) njoftoi se aktualisht nuk mund të verifikojë vendndodhjen e 409 kilogramëve të uraniumit të pasuruar në nivel të lartë që ka Irani, një sasi e mjaftueshme për të ndërtuar dhjetë koka bërthamore.
Kjo rezervë teorikisht duhet të jetë e mbyllur në një strukturë nëntokësore në Isfahan, por Drejtori i Përgjithshëm i IAEA-s, Rafael Grossi, tha se vendndodhja e tij tani është e paqartë, pasi Teherani kishte paralajmëruar se mund ta zhvendoste atë në rast të një sulmi izraelit, raporton Bloomberg.
Ndërkohë, sulmet ushtarake izraelite goditën dy objekte në Iran që prodhonin pjesë për makineritë që pasurojnë uraniumin, tha të mërkurën organi mbikëqyrës bërthamor i OKB-së, duke i identifikuar ato si laboratorin TESA Karaj dhe Qendrën Kërkimore të Teheranit.
“Në objektin e Teheranit, u godit një ndërtesë ku prodhoheshin dhe testoheshin makina të përparuara centrifuge. Në objektin e dytë, u shkatërruan dy ndërtesa ku prodhoheshin komponentë centrifuge”, njoftoi Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike në X./balkanweb