Kjo fundjavë pritet të jetë nën pushtetin e reshjeve dhe uljes së temperaturave në pothuajse të gjithë vendin. Parashikimin e bëri meteorologia Anira Gjoni nga Instituti i Gjeoshkencave, e cila në emisionin “Rudina” në Tv Klan paralajmëroi se reshjet do të na shoqërojnë jo vetëm gjatë fundjavës, por edhe në fillim të javës që vjen.

Sipas saj, qarqet Lezhë, Durrës, Vlorë dhe Gjirokastër do të përballen me reshje më intensive, që mund të shkaktojnë edhe problematika lokale në qendrat urbane. Temperaturat do të pësojnë rënie të lehtë, me maksimale deri në 16 gradë në bregdet dhe 8 gradë në zonat malore, ku në mbrëmje reshjet mund të jenë edhe në formë dëbore.

“Sa i takon motit për këtë fundjavë, pritet që të kemi një fundjavë me reshje dhe me rënie të lehtë të temperaturave. Reshjet do të na shoqërojnë përgjatë fundjavës dhe fillimit të javës që vjen. Nëse ndalemi më konkretisht sa u takon temperaturave të këtyre ditëve presim për ditën e shtunë minimalet në bregdet të shënojnë 15 gradë dhe maksimalet të shkojnë deri në 16.

Ndërsa në zonat e ulëta presim që temperaturat minimale të shënojnë 14 gradë dhe maksimalet 18. Në zonat malore presim që temperaturat të shënojnë 8 gradë dhe ato maksimalet të kalojnë deri në 13 gardë. Sa i takon mbrëmjes së sotme dhe ditës së nesërme, presim që të ketë reshje mesatare dhe lokalisht intensive në qarqet Lezhë, Durrës, Vlorë dhe Gjirokastër, ku mund të shfaqen edhe problematika për shkak të intensitetit të shtuar të reshjeve në qendrat urbane të këtyre zonave. Ndërsa në qarqet e tjera presim që reshjet të jenë mesatare.

Pothuajse në të gjitha qarqet reshjet do të jenë në formë shtrëngate. Intensiteti më i lartë i reshjeve pritet që të jetë përgjatë mesnatës, pas orës 12. Sa i takon pasdites së ditës së shtunë presim që të kemi një rënie të intensiteteve, por sërish do të mbeten prezente reshjet e shiut edhe për ditën e diel, apo dhe fillimin e javës që vjen. Ditën e hënë dhe të martë presim që të kemi reshje të dobëta, pothuajse në të gjitha qarqet, ndërsa nga dita e mërkurë dhe në vazhdim do të kemi ndërprerje të reshjeve.

Në mbrëmjen e sotme në zonat malore reshjet mund të jenë dhe në formën e dëborës. Duhet pasur kujdes dhe vëmendja ngelet në qarqet që unë përmenda, ku reshjet pritet që lokalisht të jenë intensive”, tha Anira Gjoni./tvklan.al

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu