
Moti i përkeqësuar ka shkaktuar probleme të shumta këtë të hënë në disa zona të vendit, duke ndikuar në transportin detar, qarkullimin rrugor dhe furnizimin me energji elektrike.
Në Durrës, kushtet e pafavorshme atmosferike në gjirin e qytetit dhe në det të hapur kanë sjellë pezullimin e përkohshëm të lundrimit të anijeve të peshkimit, si dhe ndërprerjen e një prej trageteve në linjën Durrës–Bari. Sipas Autoritetit Portual, dallgët e larta dhe era e fortë kanë rrezikuar sigurinë e mjeteve lundruese. Trageti i pezulluar pritet të rifillojë lundrimin gjatë ditës së sotme, ndërsa pasagjerët e prekur nga anulimet janë asistuar dhe do të udhëtojnë me nisjet e radhës.
Për ditën e sotme, oraret e përditësuara të trageteve nga Durrësi parashikojnë nisje të rregullta, përfshirë “Rigel VII”, “Rigel V”, “Rigel III” dhe “GNV Cristal”, në varësi të përmirësimit të motit.
Ndërkohë, qarku i Gjirokastrës është përfshirë nga reshje shiu dhe erëra të forta. Në aksin Tepelenë–Gjirokastër, në zonën e njohur si “Shkalla e Zezë”, rënia e inerteve nga shpatet malore ka vështirësuar qarkullimin, i cili aktualisht kryhet me një kalim. Në fshatin Nivicë (Kurvelesh) janë raportuar shkarje dherash që rrezikojnë disa banesa, ndërsa autoritetet dhe kontraktorët janë angazhuar për ndërhyrje dhe pastrim.
Situata është përkeqësuar edhe në Llogara, ku era e fortë ka rrëzuar pemë, duke bllokuar rrugën nacionale dhe shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në zonë. Grupet e punës dhe ekipet e OSHEE-së ndodhen në terren për pastrimin e rrugës dhe rikthimin e furnizimit me energji.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve, peshkatarëve dhe drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar, të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme deri në stabilizimin e kushteve atmosferike.







