
Fshati Xhyrë në Njësinë Administrative Hotolisht, bashkia Librazhd, po përballet prej mëngjesit të sotëm me një situatë të rëndë emergjente, pasi ura kryesore që e lidhte me rrugën kombëtare është e shkatërruar plotësisht nga prurjet jashtëzakonisht të mëdha të lumit Shkumbin. Rënia e këmbës qendrore të urës e vendosur në mes të shtratit të lumit, ka shkaktuar edhe dëmtimin dhe shembjen e strukturës dhe bllokimin e menjëhershëm të çdo lloj lëvizjeje.
Rrjedha e fuqishme e ujit, e nxitur nga reshjet intensive dhe prurjet e pazakonta të ditëve të fundit, ka bërë që ura të mos i rezistojë goditjes së vazhdueshme, duke e kthyer situatën në një rrezik për sigurinë publike. Që në orët e para, emergjencat civile dhe policia kanë ndërhyrë duke bllokuar me hyrjet si edhe duke vendosur sinjalistikën e nevojshme dhe ndaluar qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve, për të shmangur çdo incident të mundshëm.
Pas shembjes së urës, Xhyra është izoluar plotësisht. Banorët nuk kanë asnjë mundësi komunikimi ose lëvizjeje drejt zonave të tjera, ndërsa ndikimi i kësaj situate ndihet veçanërisht tek fëmijët dhe familjet e tyre. Nxënësit e shkollës 9-vjeçare kanë mbetur pa mësim, pasi mësuesit nuk kanë mundur të hyjnë në fshat për shkak të ndërprerjes së lidhjes rrugore./ BalkanWeb







