Reshjet e shiut të nisura që në orët e natës shoqëruar me erë të fortë kanë krijuar probleme me qarkullimin e automjeteve në disa rrugë të qarkut Dibër.
Në aksin rrugor nacional Burrel – Skuraj pati rënie të gurëve në segmentin e Shkopetit nga Ura e Ulzës deri tek tuneli i madh.
Drejtuesit e mjeteve u përballën vazhdimisht me rënie të gurëve, edhe pse ato largoheshin nga punëtorët e mirëmbajtjes. Në disa raste ishin vetë drejtuesit e mjeteve që larguan gurët nga rruga jo vetëm për të mos dëmtuar automjetin e tyre, por edhe për të tjerët.
Ndërkohë në shumë fshatra të Matit dhe gjithë Qarkut Dibër pati ndërprerje të energjisë elektrike me interval për shkak të erës së fortë e cila ka dëmtuar linjat rrymëpërcjellëse.
Për fat të mirë nuk ka patur dëme në njerëz apo materiale të shkaktuar nga era e fortë megjithëse ka dëmtuar pemë të ndryshme në zonat urbane e rurale. Autoritetet vendore janë në gatishmëri për tu përballur me situatat emergjente neë do të kërkohet nga qytetarët.
Moti i keq dhe era e fortë kanë shkaktuar probleme në disa qytete të vendit. Në qytetin e Durrësit si pasojë e erës së fortë janë rrëzuar disa palma, duke shkaktuar dëme materiale.
Fatmirësisht në momentin që kanë rënë palmat nuk ka patur persona në rrugë.
Prej dy ditësh i gjithë Durrësi është i përfshirë nga moti i keq ku stuhitë e erës dhe shiut kanë krijuar mjaft probleme te qytetarët.
Era ka kapur shpejtësinë 25-40 metër për sekondë. Ndërkohë që po ditën e sotme në Durrës është lajmëruar edhe shtyrja e lundrimit të anijeve.
Gjatë orëve të pasdites është rritur intensiteti i reshjeve të shiut në të gjithë territorin e Qarkut Lezhë.
Shiu i dendur ka krijuar vështirësi në lëvizjen e automjeteve përgjatë autostradës Lezhë-Thumanë.
Gjithashtu është përmbytur rruga kryesore e qytetit të Laçit, duke krijuar vështirësi në lëvizjen e qytetarëve dhe automjeteve.
Moti i keq vijon të jetë prezent dhe policia u apelon drejtuesëve të mjeteve që të lëvizin me kujdes, për të shmangur aksidentet.
OSHEE ka angazhuar 13 grupe pune në terren në qarkun e Korçës për të monitoruar dhe adresuar situatën e furnizimit me energji elektrike pas stuhive që kanë shkaktuar ndërprerje herë pas here.
Zonat malore dhe disa fshatra të fushës së Maliqit dhe Devollit kane pasur nderprerje te energjise.
Ndërprerje ka pasur në Njësitë administrative në Pogradec dhe Vithkuq, por tani energjia është rikthyer.
Burime pranë OSHEE thaneë se ndërprerjet janë mbajtur nën kontroll nga punonjësit e nënstacioneve për të mos pasur situata te renduara.
Grupe të specializuara të OSHEE-së vijojnë të punojnë në terren për të siguruar stabilitetin e rrjetit elektrik në zonat e prekura. Qytetarëve u bëhet thirrje të raportojnë çdo problematikë në numrat e emergjencës së OSHEE-së për ndërhyrje të shpejtë./vizionplus