NGA VISAR ZHITI

Burgu famëkeq i Spaçit, ku vuajtën mizorisht mijëra kundërshtarë të diktaturës enveriste, ku u pushkatuan apo u ridënuan rëndë ata qê guxuan dhe u ngritën në revoltën e madhe, tashmë të futur në histori si ndër të paktat dhe më heroiket në të gjithë perandorinë komuniste, por e vetmja ku u ngrit Flamuri Kombëtar pa yllin e kuq, ku u vranë në minierat me kushte primitive, ku punonim si skllevër, ku vdisnim urie e varrezë nuk kishte, banonim në fjetore pa asgjë, me tullat si luspa reptilësh, ku mbi 50 veta ngjeshur flinin në një dhomë-shpellë, me dyshekë kashte me tri radhë njeri mbi tjetrin, dritare te shkaterruara ku futej era e dimrit dhe shiu dhe vëzhgonte policia e çmendur, ku s’lejoheshin rroba te tjera veç te burgut, as këpucë apo orë dore, kuzhina me tym si gazi në kampet naziste, etj, etj, një infermieri pa ilaçe, ku alkoolin e pinin policet me spiunët e tyre, me ata në sherbim të komandës, berberhane, tubi i ujit me vrima nga rridhte uji qe ngrinte akull, banjot pa dyer, shkallë dhe zgëqe e thase, shtylla, altoparlantë që lehnin, kthina e takimeve të rralla me familjarët- e ndaré me hekura në nje dhomez sa kolibja e qenit të komandës, vendi i rrethuar me tela me gjemba një herë, dy herë, tre herë, katër herë, pesë… dhe male, përrenj me ujë të zi që dilte nga grykat e minierës si gojë lubish, kullat e dëndura të vendrojeve me trarë si përbindësha, etj, etj.

PSE?

– Një herë u bë krimi i madh, që u ngrit ai burg politik aq çnjerëzor…

– Së dyti, që e lanë të rrënohej, po prishej një dëshmi, po zhytej në mjegullat e harresës nga qeveritë…

Së voni- po duan ta bëjnë muze, shumë mirë, por jo ta tjetërsojnë, nëse po ndodh, jo ta zbukurojnë siç nuk ka qenë, të lihet ashtu siç e bënë etërit…

FILMI?

Po ndreqet për një film, po dëgjoj këto ditë të thonë, që do të xhirohet aty…

Skenarin e filmit, “Kryengritje në ferr”, e kam shkruar unë, ish i burgosur i Spaçit, drejtimor i filmit dhe regjisor ështe Namik Ajazin, edhe ai ish i burgosur si unë, edhe babai i tij e mijëra shqiptarë, ndërkaq i është kërkuar shtetit nëpërmjet kryeministrit, cilitdo që do të ishte, (se s’e kemi emëruar ne, por është zgjedhur), të mbeshtesin filmin, si rrëfim i vuajtjes dhe i qendresës dhe kryengritjes tonë, për një Shqipëri të lirë, demokratike, euroatlantike, nder për historinë dhe krenari për popullin, që s’u gjunjëzua i gjithë.

Shteti e ka për detyrë, i ka paratë, janë tonat, qoftë dhe nga ato të punës së papaguar të mijëra e mijëra të burgosurve politikë në dekadat e socializmit real në miniera, tharje kënetash, hapje kanalesh, themelesh, ngritje pallatesh, taracash, stadiumesh e deri dhe aeroportin e kryeqytetit, etj, etj.

Shteti të dënojë krimin shtetëror të diktaturës enveriste, të nxjerrë kriminelët e saj politikë, t’i sjellë nga ku janë strehuar, jo t’i riciklojë, të ndëshkojë Realizmin Socialist dhe të keqen!

Shteti të mos zvarrisë apo të shmangë kulturën e kujtesës tonë!…

Tê ribëjë burgun e Spaçit si muze ashtu si Aushvicin bota, si pjesë të kujtesës njerëzore, ashtu siç ishte, autentik, nëse s’mundet, të mos e zbukurojë, le t’ua thoshin etërve atëhere ta bënin siç do të donin tani – si makiazh krimit të madh shtetëror, ferri është ferr, ai thjesht duhet të dëshmohet, të kujtohet si një e vërtetë e mynxyrshme, me qëllim që të mos përsëritet…

Këtë do të donim të bënim me filmin, nderim vuajtjes dhe martirizimit, gjakut dhe qëndresës, ëndrrës dhe së ardhmes…

Shteti të mos e pengojë, nëse nuk e mbështet dot artin e madh si pasuri kombëtare!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu