
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka paralajmëruar se një skemë piramidale po qarkullon online dhe është duke u përhapur me shpejtësi.
Në një reagim në rrjetet sociale, Braçe shkruan se skema piramidale online “Txex” që operon përmes aplikacioneve ka përfshirë 1 mijë persona vetëm në Divjakë.
“Piramidat e reja, tani janë online, në çdo telefon! Po ju grabisin! Kjo-txex më e madhja!
kam dy muaj që merrem me këtë; Divjaka është arsyeja – përfshirja këtu, nisur nga numri i vogël i popullsisë, është i tmerrshëm!
Dy muaj më parë një sipërmarrës më vuri në dijeni, ai nisur nga ç’po dëgjonte prej njerëzve të ndryshëm në Divjakë. Jam munduar t’i them kujt kam mundur në Divjakë të dalë sa më shpejt nga kjo skemë piramidale apo të mos hyjë në të. Ia kam komunikuar policisë dhe dua shumë të besoj e kam besim që po bën gjënë e duhur!
Sot, kur skema mund të ketë përfshirë mbi 1000 persona vetëm në Divjakë brenda e po hyn në Lushnje, dua ta përsëris apelin publikisht, jo më individualisht:
Dilni sa më shpejt nga kjo piramidë dhe denonconi në policinë e shtetit – dorëzoni atje telefonin tuaj që hetuesit të kenë mundësi të ndjekin përgjegjësit përmes rrjedhës së parave; për kë është jashtë skeme e po joshet të hyjë; mos hyr aty, do të grabisin; ti i ke para mundi e djersë, punë të fortë e të lodhshme me tokën; mos ua jep grabitësve!”-shkruan Braçe./TCH