
Monopatinat elektrike po kthehen në një bombë të vërtetë për sigurinë rrugore. Vetëm sot, tre të mitur janë përplasur nga një automjet në Tiranë, pasi kaluan me semafor të kuq duke përdorur monopatinën e tyre elektrike.
Ky aksident është vetëm maja e ajsbergut. Sipas të dhënave të Spitalit të Traumës, në dy vitet e fundit mbi 900 persona janë paraqitur të dëmtuar nga aksidentet me monopatina. 694 raste vetëm në vitin 2024 dhe 212 të tjera në pesë muajt e parë të 2025-s. Një shifër alarmante për një vend ku ende nuk ekziston asnjë ligj serioz që të rregullojë përdorimin e këtyre mjeteve.
Rrugët e Tiranës janë kthyer në kaos të vërtetë: monopatina që kalojnë me të kuqe, që lëvizin mes makinave, pa kaskë, shpesh me dy persona mbi një mjet dhe në shumë raste të drejtuara nga të mitur. Askush nuk kontrollon, askush nuk mban përgjegjësi.
Aksidentet janë të rënda: fraktura në kokë, shtyllë kurrizore, këmbë të thyera dhe deri në dëmtime të organeve të brendshme. Një pjesë e viktimave janë edhe kalimtarë të pafajshëm.
Ndryshe nga shumë vende të botës, ku monopatinat janë kufizuar ose ndaluar krejtësisht (si në Parisi, Singapor apo disa qytete të Gjermanisë), Shqipëria vazhdon të mos ketë një ligj që të përcaktojë qartë:
Moshën minimale për përdorim,
Zonat ku lejohen,
Shpejtësinë maksimale,
Detyrimin për pajisje mbrojtëse.
Në mungesë të ligjit, Policia Rrugore pohon jashtë kamerave se ndërhyrja e tyre është e pamjaftueshme. “Gjobisim dhe sekuestrojmë, por pa ligj specifik, fenomeni po del jashtë kontrollit”, shprehen burime pranë policisë.
⚠️ A duhet të presim viktima për t’u zgjuar?
Shqipëria ka nevojë urgjente për të rishikuar përdorimin e monopatinave. Përpara se këto mjete të shndërrohen nga një alternativë e gjelbër, në një makth për qytetarët, fëmijët dhe drejtuesit e automjeteve.