Një episod i pazakontë dhe i rrallë u regjistrua në ndeshjen e Romës në Ligën e Europës, ku skuadra italiane arriti të humbiste të njëjtin penallti tri herë radhazi.

Gjithçka nisi kur arbitri akordoi një penallti për Romën. Artem Dovik mori përsipër ekzekutimin, por gjuajtjen e tij e ndali në mënyrë fantastike portieri turk Ozer. Pas verifikimit, arbitri urdhëroi përsëritjen për shkak të futjes së parakohshme të lojtarëve në zonë.

Dovbik u rikthye sërish te pika e bardhë, por skenari u përsërit: edhe herën e dytë Ozer reagoi mrekullisht, duke ruajtur rezultatin. Për habinë e të gjithëve, gjyqtari vendosi një tjetër përsëritje të penalltisë. Këtë herë ekzekutimin e mori përsipër Matias Sule, mirëpo edhe ai u ndal nga portieri turk, i cili u kthye në heroin absolut të momentit.

Në vetëm pak minuta, Roma kishte humbur tri herë mundësinë për të kaluar në avantazh, ndërsa Ozer hyri në histori si një nga të paktët portierë që ka pritur tre penallti radhazi në një ndeshje europiane.

Ky episod u shoqërua me emocione të jashtëzakonshme dhe pritet të mbetet gjatë në kujtesën e tifozëve si një nga momentet më të çuditshme të edicionit aktual të Ligës së Europës./Panorama

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu