
Në studion e emisionit “NOW” në Euronews Albania, përkrah moderatores Erla Mëhilli, sot ka “debutuar” edhe një moderatore krejt e veçantë: macja e njohur e televizionit, Ginger.
E konsideruar prej vitesh si pjesë e pandarë e redaksisë, Ginger është bërë tashmë një lloj maskote e Euronews. E mësuar me ritmin e transmetimeve live, ajo zakonisht pret me durim që transmetimi të mbarojë për t’u futur në studio. Por këtë herë, Ginger nuk priti fare: hyri në mes të emisionit, u ul para kamerave dhe… nuk lëvizi më.
Të ftuarit, të habitur e të kënaqur njëkohësisht, e fotografuan mace-moderatoren, ndërsa stafi i studios e priti me sportivitet momentin e papritur.
Sipas stafit, kohët e fundit Ginger është shfaqur më shpesh në studio — ndoshta nga freskia e motit, ndoshta nga shija e “famës”, por një gjë është e sigurt: publiku e adhuron.
Dhe sot, në “NOW”, krahas Erla Mëhillit, Ginger bëri daljen e saj më zyrtare si… moderatorja më e re e Euronews Albania.







