
New York, 15 janar 2026 – Quhet “Rama cut” dhe është prerja e flokëve më e klikuar dhe më e komentuar e vitit 2026. E shkurtër, moderne dhe e lehtë për t’u mirëmbajtur, kjo prerje është frymëzuar nga stili i Rama Duwaji, bashkëshortja e kryebashkiakut të New York-ut, Zohran Mamdani, dhe tashmë ka pushtuar rrjetet sociale dhe sallonet e bukurisë.
Artistja dhe ilustratorja 28-vjeçare, përfaqësuesja e parë e Gen Z që hyn në Gracie Mansion, është kthyer në një ikonë të re stili. “Rama cut” është renditur në krye të tendencave beauty për 2026-ën, falë pamjes së saj natyrale, grafike dhe njëkohësisht të guximshme.

Si duket “Rama cut”
Teknikisht, prerja përkufizohet si një “bixie”, një kombinim mes bob-it të shkurtër dhe pixie cut. Elementi më karakteristik është balluku i çrregullt dhe jo perfekt, i kombinuar me shkallëzim anësor, që i jep flokëve një efekt të lehtë dhe të lëvizshëm.
Pamja është e çlirët, moderne dhe pa teprime, duke reflektuar një stil të vendosur, por jo të sforcuar. Prerja është realizuar nga Xavier Velasquez, hairstylist i njohur i personazheve VIP, që ka punuar edhe me emra si Emma Roberts dhe Scarlett Johansson.

Kush është Rama Duwaji
Rama Duwaji ka lindur në Houston, Teksas, nga prindër me origjinë siriane dhe ka kaluar fëmijërinë mes SHBA-së dhe Dubait. Ajo ka përfunduar studimet universitare në Richmond dhe ka marrë një master në ilustrim në School of Visual Arts në New York.
Në New York njohu edhe Zohran Mamdani, të cilin e takoi në vitin 2021 përmes aplikacionit Hinge. Çifti u fejua në vitin 2024 dhe u martua në shkurt 2025, në një ceremoni civile në Lower Manhattan.
Larg figurës tradicionale të bashkëshortes së një politikani, Rama Duwaji është shumë aktive në rrjete sociale, ku numëron rreth 1.9 milionë ndjekës në Instagram. Ajo ndan kryesisht përmbajtje të lidhura me artin, pasionet personale dhe angazhimin civil, përfshirë mbështetjen për kauza sociale dhe politike në Lindjen e Mesme.
View this post on Instagram
Edhe në modë, Rama spikat për një stil antiglamour, të thjeshtë dhe jokonvencional, në kontrast të plotë me estetikën luksoze tradicionale të elitës politike amerikane.
“Rama cut” nuk është thjesht një prerje flokësh, por një deklaratë stili dhe identiteti, që pasqyron frymën e një brezi të ri dhe mënyrën se si moda, politika dhe kultura pop ndërthuren në vitin 2026.






