
Ushtria izraelite njoftoi sot se do të thërrasë rreth 60 mijë rezervistë dhe do të zgjasë shërbimin për 20 mijë trupa të tjerë në kuadër të një operacioni të ri ushtarak në Qytetin e Gazës. Vendimi u miratua nga ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, dhe pritet të marrë miratimin përfundimtar në ditët në vijim.
Operacioni synon zonat më të dendura të Gazës, ku Izraeli beson se Hamasi ruan ende struktura ushtarake dhe rrjetin nëntokësor të tuneleve. Sipas burimeve ushtarake, trupat po përgatiten në Zeitoun dhe kampin e refugjatëve në Xhabalia, ku jetojnë qindra mijëra persona të zhvendosur.
Ky zhvillim vjen teksa ndërmjetësit ndërkombëtarë po përpiqen të arrijnë një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit, pas një lufte që ka hyrë në muajin e 22-të. Deri më tani, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, mbi 62.122 palestinezë janë vrarë, ndërsa mijëra të tjerë vuajnë nga uria dhe kushtet e mjerueshme humanitare.
Nga ana tjetër, kryeministri Benjamin Netanyahu ka deklaruar se çdo marrëveshje paqeje duhet të përfshijë shkatërrimin e Hamasit dhe lirimin e pengjeve të mbetura. Militantët e Hamasit, të cilët e nisën luftën më 7 tetor 2023 duke vrarë mbi 1.200 izraelitë dhe rrëmbyer mbi 250 persona, kërkojnë një armëpushim të përhershëm në këmbim të lirimit të tyre.
Egjipti dhe Katari kanë konfirmuar se janë në pritje të përgjigjes së Izraelit për propozimin e fundit të armëpushimit, ndërsa presioni ndërkombëtar për shmangien e një ofensivë të re mbetet i lartë.