
Ndërkohë që Rusia ka deklaruar se ka zhvilluar një vaksinë që trajton të gjitha llojet e kancerit, mjekja Aurora Dollenberg ndau në Dita Jonë në A2 CNN lajmin se shpresëdhënëse deri më tani është vaksina e pankreasit e cila i zgjat jetën pacientit deri në 10 vite.
“Shpresëdhënëse deri tani është për kancerin e pankreasit. Kur themi këtë kancer dimë që pacienti i ka ditët e numëruara. Është diagnoza më vdekjeprurëse që kemi kur bëhet fjalë për jetëgjatësinë e pacientit se zgjat vetëm 6 muaj jetëgjatësia. Këta pacientë kanë qenë vullnetarë u bënë pjesë e kësaj vaksine dhe është parë që kur kanë një mutacion gjenetik që ne me anë të vaksinës arrijmë ta korrigjojmë qelizën kanceroze duke e bërë të kapshme nga sistemi policor imunitar që ka trupi ynë. Në momentin që japim këtë vaksinë bëjmë të dukshme qelizën kanceroze për t’u detektuar nga trupi dhe kemi parë që te kanceri i pankreasit këtu në gjermani e kemi rritur me disa vite dhe deri në 1 dekadë jetëgjatësia e pacientëve duke i dhënë mundësi pacientit për një prognozë më të mirë”.
Dollenberg thekson në A2 CNN se për këtë vaksinë jo të gjithë pacientët janë përfitues.
“Bëhet fjalë për disa vaksina që rrisin jetëgjatësinë dhe nuk e kthejnë më dhe këtu ka shumë shpresë dhe optimizën që në të ardhmen të kemi mundësi që të bëjmë një hartë gjenetike të pacientit. Kriteri kryesor është që të jetë në gjendje fizike shumë të mirë. Nuk mund të jenë të gjithë pacientët përfitues, por ata qe morën panë që kanceri të mos rikthehet”.
Sipas saj përmirësime ka pasur edhe për disa lloje të tjera kanceri si ai i mushkërive dhe zorrës së trashë, ndërkohë që në mjekësi ekzistojnë edhe dy vaksina parandaluese.
“Edhe kanceri i zorrës së trashë ka patur përmirësim të dukshëm, edhe i mushkërive. Janë disa diagnoza që premtojnë shumë. Në këtë vaksinë që ka përmendur Rusia bëhet fjalë për trajtimin e kanceri pasi vaksina për parandalim ne e kemi vaksina e papilomes njerëzore që parandalojnë kancerin e qafës së mitrës dhe zorrës dhe kancerin anal dhe vaksina e hepatitit B që parandalon kancerin e mëlçisë”.