Ajo që dikur quhej thjesht një legjendë urbane e Nju Jorkut, tani është realitet i dokumentuar në Florida. Punonjësit komunalë në qytetin Oviedo kanë zbuluar një aligator 1.5 metra të gjatë brenda një tubi kanalizimi të mbushur me baltë – dhe momenti është kapur në një video që po bën xhiron e rrjeteve sociale.

Skena tronditëse u regjistrua gjatë një inspektimi rutinë për gropat e asfaltit, ku u përdor një robot me kamerë për të parë çfarë po ndodhte nën rrugë. Ajo që u zbulua nuk ishte thjesht dëmtim i infrastrukturës – por një banor i frikshëm me dhëmbë të mprehtë.

“Vetëm një arsye më shumë për të mos u fut kurrë nëpër tubacionet e ujërave të shiut,” shkruan administrata e qytetit Oviedo në Facebook, duke shpërndarë videon e pabesueshme që tregon robotin duke u përballur me bishën me sy të ndritshëm në fund të tunelit.

📹 Shikoni videon 

Në video, kamera afrohet ngadalë drejt dy pika të ndritshme që fillimisht ngatërrohen me një bretkosë – derisa kafsha ngre kokën dhe hap gojën. Në atë moment, të gjithë kuptuan: është një aligator amerikan i gjallë, brenda sistemit të kanalizimeve.

Bisha zvarritet mbrapsht me nofullën hapur, ndërsa roboti ndjek pas deri kur ngec në një gropë, duke e humbur nga pamja zvarranikun misterioz.

Ky zbulim rikthen në qendër të vëmendjes mitin e vjetër të “krokodilëve në kanalizime” të Nju Jorkut, i popullarizuar nga filmi “Alligator” (1980) dhe më vonë nga “E.T.” i Steven Spielberg, ku Drew Barrymore përmend këtë histori si të ishte legjendë. Por duket se Florida po ua vërteton të gjithëve se kjo nuk është më një shaka urbane.

Ky aligator i “nëntokës” u bë menjëherë sensacion në rrjet, dhe për autoritetet është një kujtesë e frikshme për realitetin e egër që ndodhet nën këmbët tona.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu