
Festivali ndërkulturor “Mirëdita, dobar dan!”, i cili prej më shumë se një dekade ka shërbyer si urë bashkëpunimi mes artistëve shqiptarë dhe serbë, do të mbahet këtë vit në Prishtinë, nga 20 deri më 22 nëntor.
Ngjarja, që vitin e kaluar u anulua në Beograd pas protestave dhe presioneve të grupeve nacionaliste të mbështetura nga qeveria serbe, rikthehet këtë herë në Kosovë me moton e dialogut dhe të pajtimit kulturor.
Sipas organizatorëve, Kosova nuk ka asnjë kundërshtim për mbajtjen e festivalit, pavarësisht plagëve të luftës dhe më shumë se 10 mijë viktimave civile të shkaktuara nga forcat serbe. “Kosova nuk del kundër artit, as kundër krijuesve serbë që kërkojnë paqe përmes artit dhe kulturës”, theksojnë ata.
Koordinatorja e festivalit, Tijana Gjuknić, ka deklaruar se “pajtimi i vërtetë është i pamundur pa u përballur me të kaluarën dhe pa ndërtuar të ardhmen së bashku”, ndërsa drejtuesi nga ana kosovare, Kushtrim Koliqi, tha se në Prishtinë “asnjëherë nuk ka pasur pengesa apo kërcënime për festivalin”, duke e quajtur këtë “një tregues të pjekurisë dhe tolerancës së shoqërisë kosovare”.
Programi i festivalit përfshin koncerte, ekspozita, shfaqje teatrale dhe debate publike, me pjesëmarrjen e artistëve nga Kosova dhe Serbia. Ai do të hapet më 20 nëntor në hapësirën “Defy Them” me performancën e grupit alternativ nga Beogradi “Pliš”, ndërsa mbyllet më 22 nëntor me shfaqjen e filmit “78 Ditë” të regjisores serbe Emilija Gašić, fitues në disa festivale ndërkombëtare.
“Mirëdita, dobar dan!” organizohet nga “Integra” në Kosovë, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut dhe Iniciativat Qytetare në Serbi, me mbështetje nga donatorë ndërkombëtarë dhe nga Qeveria e Kosovës. Ndërkohë, qeveria serbe jo vetëm që nuk e ka mbështetur festivalin, por vitin e kaluar e ndaloi zyrtarisht mbajtjen e tij në Beograd, duke e quajtur “ngjarje me rrezikshmëri të lartë”.
Rikthimi i festivalit në Prishtinë shihet si një mesazh i fortë i paqes dhe dialogut kulturor, në një kohë kur retorika nacionaliste po rikthehet fuqishëm në rajon.







