Pas akuzave të opozitës për bllokim të interpelancave me Kryeministrin dhe ministrat, Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili reagoi duke theksuar se procedurat janë respektuar dhe se çdo kërkesë e rregullt do të trajtohet.

 

Në replikën e saj në Kuvend, ministrja sqaroi se interpelancat kanë qenë gjithmonë pjesë e rendit të ditës në seancat plenare dhe se kjo çështje është diskutuar dhe ezauruar edhe në Konferencën e Kryetarëve. Ajo nënvizoi se çdo deputet apo grup parlamentar ka të drejtën të kërkojë interpelancë apo seancë pyetje-përgjigje me anëtarët e qeverisë.

 

Sipas ministres, të gjitha kërkesat që janë në përputhje me procedurat do të zhvillohen, ndërsa për ato që nuk janë konsideruar të rregullta është dhënë përgjigje zyrtare. Ministrja theksoi se organizimi i interpelancave bëhet në koordinim me ministrat, duke marrë në konsideratë edhe angazhimet dhe agjendat e tyre.

 

Replika e plotë:

 

Atëherë për sa i përket rendit të ditës sot por edhe në çdo seancë plenare, besoj që të jemi të ndërgjegjshëm, se bazuar mbi faktet çfarë është parashikuar, seancat kanë patur gjithmonë interpelanca të përfshira në të. Kjo është një çështje që është diskutuar dhe që unë mendoj që është ezauruar edhe në konferencën e kryetarëve, dhe patjetër që si e drejtë e secilit deputet apo grup deputetësh që kërkon të zhvillojë interpelancë ose që bën një kërkesë për pyetje përgjigje me një ministër, do të merret parasysh, është marrë parasysh, do të zhvillohen, do të ezaurohen bazuar në një koordinim me çdo ministër, bazuar edhe në angazhimet dhe agjendat që ata kanë, me një mirëkuptim që deri tani ka qenë edhe nga të gjithë deputetët. Dhe për këtë më vjen mirë. Kështu që për sa i përket kërkesave që janë procedurialisht në rregull, do të zhvillohen të gjitha, dhe për çdo kërkesë tjetër që nuk është parë korrekte apo procedurialisht nuk ka qenë korrekte, ka një përgjigje të kthyer zyrtarisht gjithashtu. Faleminderit.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu