Sot, më 23 janar 2025, u thirr në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme Ambasadori i Republikës së Serbisë, z. Slobodan Vukçević.
Gjatë takimit u transmetua keqardhja dhe shqetësimi serioz për ndalimin dhe largimin nga territori i Serbisë të dy shtetasve shqiptarë, përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët kanë marrë pjesë në një seminar në Beograd.
Ky veprim nuk konsiderohet në përputhje me dëshirën dhe përpjekjet tona për të ruajtur marrëdhënie të mira fqinjësore, si dhe ka impakt negativ në lëvizjen e lirë të shtetasve tanë.
MEPJ kërkoi sqarime lidhur me këtë rast dhe theksoi nevojën që autoritetet serbe të rishikojnë dhe të marrin në konsideratë apelimin e vendimeve të marra. U kërkua gjithashtu që të mos lejohet përsëritja e ngjarjeve të tilla në të ardhmen.
Ky rast është duke u ndjekur me vëmendje të plotë nga Ambasada Shqiptare në Beograd.
Gazmir Memaj nga fondacioni “Mary Ward Loreto” dhe Edlira Lilaj nga “Organizata Help” në Tiranë, ishin pjesë e të 14 anëtarëve të shoqërisë civile që po merrnin pjesë në një seminar në Beograd.
Serbia ka dëbuar 13 shtetas të huaj, të cilët po merrnin pjesë në seminarin për organizatat joqeveritare nga nëntë shtete të ndryshme. Autoritetet në Beograd i kanë ndaluar dhe më pas dëbuar ata në natën mes 21 dhe 22 janarit, duke cilësuar se ata paraqisnin “kërcënim për sigurinë”.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, ajo e Jashtme, e as nga Agjencia e Informacionit dhe Sigurisë, nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se konkretisht çfarë kërcënimi përbënin personat e dëbuar.
Fondacioni Erste, i cili është ndër organizatorët e punëtorisë, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë tha se më 21 janar, vonë në mbrëmje, autoritetet serbe kanë marrë në pyetje 13 pjesëmarrës nga nëntë vende, pas së cilës atyre iu ndalua hyrja në Serbi për një vit.
Nga ky fondacion theksuan se as ata, as Akademia për Organizatat Joqeveritare e Universitetit të Vjenës për Ekonomi dhe Biznes nuk janë informuar për arsyet e dëbimit.
“Ky incident është jashtëzakonisht shqetësues. Së bashku me partnerët tanë po vazhdojmë të ndjekim me kujdes situatën. Thellësisht na vjen keq që pjesëmarrësit e punëtorive tona u desh të kalonin nëpër një përvojë të tillë dhe ritheksojmë përkushtimin tonë ndaj shoqërisë civile në Evropën Qendrore dhe Lindore”, u tha në njoftimin e Fondacionit Erste.
Nga ky fondacion thanë se programet e tyre organizohen që nga viti 2013, disa prej tyre kanë qenë në Beograd dhe janë mbajtur pa asnjë problem.
Reagime nga BE-ja dhe vendet e rajonit
Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim për këtë ngjarje, duke e ftuar Serbinë që të respektojë të drejtat e njeriut, sipas standardeve evropiane dhe ndërkombëtare.
“Ne jemi të shqetësuar për arrestimin dhe dëbimin nga Serbia të aktivistëve paqësorë të shoqërisë civile që vijnë nga vendet anëtare të BE-së dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor, me pretendimin se paraqesin kërcënim për sigurinë. Shoqëria civile luan një rol të rëndësishëm në ndërtimin e një shoqërie të shëndoshë demokratike. Këto janë vlera në themele jo vetëm të BE-së, por janë edhe kyçë për të ardhmen e Serbisë si një vend kandidat dhe për qytetarët e sajë”, ka thënë një zëdhënës i Komisionit Evropian në Bruksel.
Blloku evropian porositi Serbinë se masat që ndërmerr në interes të sigurisë kombëtare duhet të jenë në përputhje me kornizën ligjore vendëse dhe evropiane.
“Masat e tilla nuk duhet të rezultojnë me kufizimin e lirive individuale, përfshirë edhe të qytetarëve të huaj”, u tha nga BE-ja.
Edhe Kroacia ka reaguar për këtë ngjarje, duke thënë se pesë qytetarët e saj u dëbuan nga Serbia. Zagrebi ka thënë se ata ishin në shënjestër të sulmeve nga përfaqësuesit e pushtetit në Serbi dhe mediave të afërta me të, që akuzojnë studentët, gazetarët dhe aktivistët nga Kroacia për organizim të protestave në Serbi.
Kroacia i ka dërguar notë proteste Serbisë dhe ka këshilluar shtetasit e saj të shmangin udhëtimet drejt këtij shteti.
Por, Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë ka akuzuar autoritetet kroate për një reagim “të papërshtatshëm”, duke deklaruar se shtetasit kroatë janë trajtuar “në përputhje me procedurat ligjore dhe praktikën e zakonshme ndërkombëtare”.
Ana Kovaçiq nga Kroacia ishte një nga pjesëmarrëset në ngjarjen në Beograd, që u dëbua nga Serbia.
Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë ajo tha se rreth mesnatës të 21 janarit, në hollin e hotelit iu afruan policë.
“Ishin me rroba civile, na treguan distinktivët. Thanë diçka, nëse e mbaj mend mirë, në kuptimin që janë policia për të huajt, dhe na kërkuan që të prisnim për pak kohë në holl. Pastaj na morën tre nga tre, me një makinë pa shenja, dhe na dërguan në stacionin e policisë Novi Beograd”, tregoi ajo.
Reagime për dëbime nga pasur edhe nga Rumania. Ministria e Jashtme rumune po ashtu tha se një shtetas i saj, pjesëtar i shoqërisë civile, u dëbua nga Serbia, pasi mori pjesë në ngjarjen në Beograd. Kjo ministri tha se autoritetet serbe nuk kanë dhënë shpjegim për këtë ngjarje.
Ndërkaq, një grup i organizatave joqeveritare në Serbi, përmes një deklarate të përbashkët, kërkoi që shteti t’iu kërkojë familje përfaqësuesve të shoqërisë civile që u arrestuan dhe dëbuan “dhe menjëherë të shfuqizohet vendimi i turpshëm” i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë
“Trajtimi frikacak, i paligjshëm dhe i poshtër ndaj kolegëve nga sektori civil nga vendet fqinje është një përpjekje e rrezikshme për të forcuar narrativin e agjentëve të huaj, mercenarëve dhe shërbimeve të fshehta, me qëllim frikësimin e qytetarëve të Serbisë”, u tha në deklaratë.
Dëbimet e shtetasve të huaj nga Serbia ndodhën në kohën kur ky vend po përballet me protesta masive antiqeveritare, të udhëhequra nga studentët, të cilët kanë bllokuar më shumë se 60 universitete shtetërore.
Zyrtarë të lartë shtetërorë, pa ofruar dëshmi, kanë pretenduar se bllokadat nga studentët dhe protestat, po organizohet nën ndikimin e shërbimeve perëndimore të inteligjencës, me qëllimin për të rrëzuar nga pushteti presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Studentët protestues vazhdimisht kanë mohuar këto pretendime.