
Ministria e Jashtme e Izraelit publikoi një deklaratë në rrjetet sociale ku akuzon Iranin se ka përdorur ambasadat dhe diplomatët e tij për të promovuar terrorizmin në mbarë botën për dekada.
“”“Ambasadat dhe diplomatët iranianë kanë promovuar terrorizmin në mbarë botën prej dekadash.”, thuhet në postimin zyrtar, i shoqëruar me referenca për disa raste ndërkombëtare, përfshirë Francën, Argjentinën dhe Shqipërinë.
Rasti i Shqipërisë
Në vitin 2018, Shqipëria dëboi ambasadorin e Iranit në Tiranë, Gholamhossein Mohammadnia, duke e shpallur “person non grata” për shkak të veprimeve që, sipas autoriteteve shqiptare, cenonin sigurinë kombëtare.
Vendimi u mor në dhjetor 2018, pas konsultimeve me aleatët strategjikë, ndërsa Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë njoftoi në atë kohë se masa ishte në mbrojtje të interesave kombëtare dhe të sigurisë.
Më pas, në vitin 2020, Departamenti i Shtetit i SHBA e përfshiu ish-ambasadorin iranian në një listë sanksionesh, duke e lidhur atë me çështjen e zhdukjes së ish-agjentit të FBI-së, Robert Levinson. Sipas autoriteteve amerikane, disa zyrtarë iranianë kishin rol në fshehjen e fatit të tij.
Shqipëria ndërkohë ka qenë objekt i tensioneve me Teheranin, për shkak të strehimit në territorin e saj të anëtarëve të opozitës iraniane, MEK (Muxhahedinët e Popullit të Iranit). Në vitin 2022, qeveria shqiptare ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin, duke e akuzuar për sulm kibernetik ndaj institucioneve shtetërore shqiptare – një akuzë që Teherani e mohoi.
Raste të tjera të përmendura
Në postimin e Ministrisë së Jashtme izraelite përmendet edhe rasti i diplomatit iranian Asadollah Asadi, i dënuar në Belgjikë në vitin 2021 me 20 vite burg për përfshirje në një komplot për sulm me bombë në Francë.
Po ashtu, referohen akuzat e Argjentinës për përfshirjen e zyrtarëve iranianë në sulmin ndaj qendrës hebraike AMIA në Buenos Aires në vitin 1994.
Konteksti
Irani është shpallur prej vitesh nga Shtetet e Bashkuara si “sponsor shtetëror i terrorizmit”, ndërsa Teherani i ka mohuar vazhdimisht akuzat për përfshirje në aktivitete terroriste përmes strukturave diplomatike.
Deklarata e fundit e Ministrisë së Jashtme të Izraelit vjen në një moment tensioni të lartë në Lindjen e Mesme, mes përshkallëzimit ushtarak dhe akuzave të ndërsjella mes palëve.






