
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka qenë sot në fshatin Bashaj të Selenicës, ku ka inspektuar nga afër punimet që po kryhen nga mjetet e ushtrisë për hapjen e rrugës së bllokuar si pasojë e rrëshqitjeve të dheut.
Ministri Vengu është takuar edhe me banorët e zonës, të cilëve u ka kërkuar të mos rrezikojnë jetën duke tentuar hapjen e rrugëve provizore me mjete rrethanore. Ai ka theksuar se shumë shpejt do të ndërtohet një rrugë paralele, e cila do të garantojë kalim më të sigurt për banorët.
Sipas ministrit, deri në këto momente, ndërhyrja e mjeteve të rënda ka bërë të mundur hapjen e rreth gjysmës së rrugës ekzistuese.
Ndërkohë, gjatë mesditës së sotme në zonë kanë mbërritur edhe mjete të tjera të ushtrisë, të cilat do të vijojnë punën në terren me qëllim përshpejtimin e normalizimit të situatës dhe rikthimin e qarkullimit për banorët e izoluar.






