Ministri suedez i Migracionit, Johan Forssell, është shprehur i “tronditur dhe i tmerruar” pasi ka mësuar se djali i tij adoleshent është përfshirë në rrethime të ekstremizmit të djathtë të dhunshëm, shkruan The Guardian.

Forssell deklaroi se ishte kontaktuar disa javë më parë nga Shërbimi i Sigurisë Suedeze (Säpo), i cili e informoi për aktivitetet e 16-vjeçarit. Ai vendosi të dalë publikisht pas publikimit të një raporti nga revista antiraciste Expo, ku zbulohej se një i afërm i ngushtë i një ministri ishte aktiv në radhët e ekstremistëve të djathtë.

“Si baba, je i shokuar. Kam një djalë thellësisht të penduar, që sapo ka mbushur 16 vjeç,” u shpreh ministri për televizionin suedez TV4. “Aktivitetet kanë përfunduar, por bisedat tona familjare do të vazhdojnë.”

Edhe pse Forssell e ndiqte të birin në rrjetet sociale, ai tha se nuk kishte pasur asnjë dijeni për lidhjet e tij me aktivistë dhe influencues të ekstremit të djathtë, deri kur u kontaktua nga gazetarët.

Në një reagim në rrjetet sociale, ministri e quajti këtë situatë një “syçelës për të gjithë prindërit”, duke ngritur shqetësimin: Sa dimë realisht për atë që bëjnë fëmijët tanë në internet dhe si mund t’i mbrojmë nga ndikimet e rrezikshme?

Forssell nënvizoi se djali i tij nuk është nën hetim dhe se vendimi për të folur publikisht lidhet me mbrojtjen e një të mituri, jo të një figure politike. Megjithatë, ngjarja po sjell pasoja politike në vend: partitë opozitare kanë kërkuar që ministri të raportojë urgjentisht në parlament, ndërsa kanë kërkuar sqarime nëse qeveria kishte dijeni më parë për rastin.

Kryeministri suedez, Ulf Kristersson, ka deklaruar se vijon të ketë besim te Forssell, duke thënë se “ka vepruar si një prind përgjegjës, kur mëson se fëmija i tij është përfshirë në diçka të gabuar”.

Nga ana tjetër, partia e majtë e ka akuzuar ministrin për standard të dyfishtë, pasi ai vetë ka mbështetur uljen e moshës së përgjegjësisë penale nga 15 në 14 vjeç.

“Qeveria ka qenë shumë e ashpër kur bëhet fjalë për familjarët e përfshirë në krimin e organizuar tani po ndjek një qasje krejt tjetër,” u shpreh zëdhënësi për politikat e migracionit të kësaj partie, Tony Haddou.

Ministri tha se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen dhe se mbetet i përkushtuar në realizimin e politikave për të cilat, sipas tij, ka marrë mbështetjen e qytetarëve suedezë. Ndërkohë, shërbimi suedez i sigurisë konfirmoi se vijon të ndjekë mjediset e ekstremizmit të dhunshëm në vend, por nuk komentoi rastin në fjalë./tvklan

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu