“Në të kaluarën, qendra e botës ishte Oqeani Atlantik. Sot, është e gjithë bota.” Kështu u shpreh ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, duke theksuar se “NATO-ja nuk ka më arsye ekzistence në formën aktuale”.

Gjatë një fjalimi në një konferencë të mbajtur në Padova, Crosetto deklaroi se dikur Evropa dhe Shtetet e Bashkuara përbënin pikën qendrore të referencës globale, ndërsa sot, sipas tij, ekziston një botë shumë më e gjerë, me të cilën duhet ndërtuar një marrëdhënie e re.

“NATO duhet të pësojë një ndryshim të thellë,” tha ai, “duhet të nisë dialogun me Jugun global për të garantuar paqen dhe mbrojtjen e ndërsjellë. Përndryshe, nuk do të arrijmë të sigurojmë sigurinë me rregulla që vlejnë për të gjithë.”

Ministri italian theksoi gjithashtu se shumë shpesh diskutohet ende sikur bota të ishte e njëjtë me atë të para tridhjetë viteve.

“Disa flasin për Evropën sikur të kishte ende rëndësi. Dikur, ndoshta, do të kishte pasur nëse do të kishte ndërtuar një rol politik, një politikë të jashtme dhe një mbrojtje të përbashkët, por ajo kohë ka kaluar, dhe e them këtë me keqardhje”, tha ai.

“Bota ka ndryshuar,” vijoi Crosetto, “dhe sot Kombet e Bashkuara në pjesën tjetër të botës peshojnë po aq pak sa edhe Evropa, domethënë, më pak se një komb i vetëm, më pak se India apo Izraeli.”

Në përfundim, ai u shpreh se deri më tani Shtetet e Bashkuara nuk kanë kërkuar përdorimin e bazave të tyre në territorin italian për ndonjë operacion që lidhet me zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme./vizion plus

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu