
Në seancën e sotme plenare, Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, paraqiti për miratim nga Kuvendi pr/ligjin për denoncimin e marrëveshjes së bashkëpunimit mes Këshillit të Ministrave dhe Fondacionit gjerman “Hanns Seidel”. Ky veprim vjen pas njoftimit zyrtar të palës gjermane për përfundimin e një kapitulli bashkëpunimi që ka zgjatur mbi 30 vite dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në ngritjen e institucioneve demokratike dhe forcimin e administratës shqiptare.
Gogu theksoi se Fondacioni “Hanns Seidel” ka qenë një nga partnerët më të rëndësishëm ndërkombëtarë të Shqipërisë që nga vitet e para të tranzicionit, duke kontribuar në ndërtimin e shtetit ligjor, kualifikimin e administratës, mbështetjen e pushtetit vendor, përgatitjen e juristëve, si dhe në bashkëpunimin mes policive shqiptare dhe atyre të Bavarisë. Ai nënvizoi se fondacioni ka luajtur rol të madh në etapën euroatlantike të vendit dhe se, sipas Komisionit Europian, Shqipëria tashmë është teknikisht e përgatitur për të mbyllur negociatat e anëtarësimit. Përfundimi i kësaj marrëveshjeje, sipas tij, vjen në një moment kur bashkëpunimi me Gjermaninë do të vazhdojë në një nivel të ri, në kuadër të procesit të integrimit evropian.
“Gjatë veprimtarisë së tij në Shqipëri, fondacioni i ka mundësuar Shqipërisë mbështetje të rëndësishme në fazat e para të tranzicionit, por edhe në anëtarësimin euroatlantik dhe sot që Shqipëria ka çelur të gjithë grupkapitujt dhe është, siç thotë Komisioni Europian, e kualifikuar teknikisht për të mbyllur negociatat në vitin 2027, fondacioni na ka lajmëruar që bashkëpunimi i Shqipërisë me Republikën Federale të Gjermanisë do të kryhet në “sallonin” e BE si anëtar kur Shqipëria ta kryejë këtë brenda vitit 2030 ashtu siç është njoftuar nga Komisioni dhe Parlamenti Europian, me anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.”
Ministri kërkoi miratimin e Kuvendit, duke shprehur mirënjohje të thellë për popullin gjerman, Landin e Bavarisë dhe institucionet që kanë mbështetur Shqipërinë në më shumë se tre dekada partneritet.
Fjala e plotë:
I nderuar zoti kryetar.
Të nderuar deputetë, të nderuar qytetarë që na ndiqni.
Sot qeveria shqiptare ka sjellë në Parlament, në zbatim të Kushtetutës, denoncimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Këshillit të Ministrave dhe Fondacionit Hanns Seidel të Republikës Federale të Gjermanisë.
Marrëveshja me këtë fondacion është ratifikuar që në vitin ’92 dhe më pas është lidhur një marrëveshje tjetër në vitin 2007, pra Fondacioni Hanns Seidel, ashtu siç u tha edhe këtu në këtë sallë, ka një veprimtari prej 30 vjetësh në Republikën e Shqipërisë, duke na ndihmuar që në ditët e para dhe hapat e parë të ndërtimit të shtetit ligjor dhe demokratik.
Kështu që me kërkesën e drejtuesit, titullarit të këtij fondacioni, zoti Markus Ferber, qeveria shqiptare është vënë në dijeni për përfundimin e këtij kapitulli shumë të gjatë 30-vjeçar bashkëpunimi, që na ka ndihmuar në fuqizimin e shtetit ligjor dhe demokratik.
Dhe për këtë arsye, në zbatim të ligjit organik të marrëveshjeve ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë, në momentin që ne, dhe siç e parashikonte vetë marrëveshja, në momentin që vihemi në dijeni për përfundimin me njoftim të menjëhershëm dhe të njëanshëm, vijmë përpara jush për të marrë miratimin nga ky Kuvend.
Dy fjalë ku ka konsistuar ajo ndihmë madhore e Fondacionit Hanns Seidel, për të cilën ne të gjithë jemi shumë mirënjohës në këto 30 vjet. Ky bashkëpunim ka nisur nga ngritja e institucioneve dhe mbështetjen e administratës përmes kualifikimit të nëpunësve të administratës qendrore dhe vendore që në fillimet e krijimit të kësaj administrate dhe deri më sot që flasim. Një aspekt shumë i rëndësishëm ka qenë sektori i drejtësisë me gjithë kualifikimin e juristëve të të gjitha fushave. Bashkëpunimi me Shoqatën e Bashkive nëpërmjet masave të kualifikimit, në lidhje me kriteret, metodat administrative të reja, të mbështetura mbi praktikën gjermane
Dhe nëpërmjet bashkëpunimit të policive të dy vendeve, sidomos të landit të Bavarisë, për shkak se edhe fondacioni është i vendosur në landin e Bavarisë dhe financimi ka qenë nga qeveria e landit të Bavarisë.
Dhe natyrisht ka qenë ngritja e kapaciteteve, trajnimet, seminaret, workshop-et, tryezat e rrumbullakëta, por edhe vizitat studimore, shkëmbimet e eksperiencave dhe oferta të tjera për kualifikim.
Gjatë veprimtarisë së tij në Shqipëri, fondacioni i ka mundësuar Shqipërisë mbështetje të rëndësishme në fazat e para të tranzicionit, por edhe në anëtarësimin euroatlantik dhe sot që Shqipëria ka çelur të gjithë grupkapitujt dhe është, siç thotë Komisioni Europian, e kualifikuar teknikisht për të mbyllur negociatat në vitin 2027, fondacioni na ka lajmëruar që bashkëpunimi i Shqipërisë me Republikën Federale të Gjermanisë do të kryhet në “sallonin” e BE si anëtar kur Shqipëria ta kryejë këtë brenda vitit 2030 ashtu siç është njoftuar nga Komisioni dhe Parlamenti Europian, me anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kështu që në zbatim të Kushtetutës, duke respektuar kompetencën e kuvendit për të miratuar denoncimin e kësaj marrëveshjeje, por dhe në zbatim të ligjit organik të marrëveshjeve ndërkombëtare sjellim përpara jush dhe kërkojmë miratimin tuaj kolegë duke shprehur mirënjohjen e pafund ndaj popullit gjerman, veçanërisht Landit të Bavarisë dhe qeverisë së tyre për këtë bashkëpunim 30-vjeçar. Dhe ju informoj se nuk ka asnjë efekt financiar ndaj ju ftoj që ta miratoni sot atë duke shprehur gjithashtu mirënjohjen tuaj për bashkëpunimin mes dy qeverive.
Faleminderit!







