
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, në fjalimin e tij para deputetëve gjatë seancës plenare foli për kontrastin e madh që po krijon opozita me diskursin e saj të shkatërrimit përballë një shteti që ndërton. Sipas ministrit Gogu, këto institucione që raportojnë sot janë gurët e themelit të shtetit modern shqiptar, ndaj flasin pa zhurmë me gjuhë në ligj.
“Çadra që mbulon depozituesit shqiptarë është zgjeruar dhe ndërsa institucionet do të vazhdojnë të raportojnë se si do të jenë në shërbim të qytetarëve, fatkeqësisht ju, të nderuar qytetarë, dhe ne do të dëgjojmë zhurmë dhe sulme nga një anë e Kuvendit, ndaj atyre institucioneve. Sepse e dëgjuat këtu dizenjatorin e rritjes së ekonomisë përmes piramidave financiare të kërcënonte depozituesit shqiptarë se i kanë të pasigurta depozitat. Është e pavërtetë. Por është ndërgjegjja e vrarë nën petkun e skemaxhiut piramidal që vjen dhe sulmon institucionet,” deklaroi ministri Gogu.
Ministri i kujtoi Sali Berishës se kur sheh si mbrohen qytetarët nga diskriminimi, siç shprehet ai: “Nën lëkurën e vrarësit të protestuesve në bulevard, patjetër që do duhet të vishet me petkun e hipokrizisë. Kjo është strategji rrënimtare, sepse rrënon shtetin që po ndërtojmë të gjithë së bashku.”
Për Gogun, kjo është strategji në prag të zgjedhjeve.
“Dhe është frika e humbësit. Se do shkojmë prapë te kutia e votimit. Dhe i urti dhe i mençuri shqiptar e di shumë mirë se kush ka ardhur pa zhurmë, me punë, me alternativë. Ndërkohë që e vetmja alternativë e së shkuarës që dëgjuam para meje është flamuri me gisht. E kam fjalën për bajrakun, nuk e kam fjalën për personazh konkret. Pra, gjithë kjo përpjekje, që ka në ndërgjegjen e vet protestues të paqtë të vrarë në bulevard, shqiptarë që u ke vjedhur sigurimet dhe depozitat dhe ua ke hedhur në erë, dhe bashkë me të ke djegur të gjithë vendin, është përpjekja që sot shikoni te gjithë këtë hipokrizi që e patë edhe në historinë e Kosovës. Kisha një pyetje, atë mëngjes që ajo makineri serbe ishte nisur për të kryer ato vrasje, me çfarë nafte ishin mbushur ato makineri? Kush ua shiti? Atyre luftëtarëve të ‘Liria ka emër’, kush u thërriti banditë dhe kush i minoi?” deklaroi ministri.
Së fundi, paralelizmi i ministrit Gogu u ndal te perspektiva europiane e Shqipërisë përballë vizionit të së shkuarës që trumbeton opozita.
“Tek ai bulevard që ju e keni tmerr, sepse keni mëkate shumë të mëdha, para disa ditësh një zonjë europiane eci hijerëndë dhe tha me gojën plot se Shqipëria ka bërë përparim mbresëlënës, ndërkohë që zotëria i 21 janarit thërret: narkoshtet. Ja e dëgjoni! Europa nuk dëgjon dot zhurmat boshe të së shkuarës që duan të shkatërrojnë të tashmen dhe të ardhmen.
Ose te gjithë këta krerë të BE-së që vizitojnë Shqipërinë çdo muaj, pothuaj nuk po kuptojnë asgjë ç’ndodh këtu, ose ju jeni në një planet tjetër. Sepse janë më të intonuar europianët me qytetarët e Shqipërisë se ju që keni mbetur te historia e së shkuarës dhe të gjitha ato krime.”
Sipas Gogut, përballë këtij ndryshimi, opozita nuk po duron dot forcimin e shtetit dhe kërkesën e llogarisë ndaj të gjithëve pa përjashtim.