
Ministri i Shtetit dhe drejtuesi politik i PS për Diasporën, Taulant Balla ka zhvilluar një takim të veçantë me dy përfaqësues të komunitetit shqiptar nga Toskana, Ervis Gramshi dhe Bruno Leka, të cilët njihen për angazhimin e tyre në këtë rajon të Italisë. Në takim ishte i pranishëm edhe Alessandro Martini, themeluesi i televizionit social “Televisium” që transmeton përmes platformave sociale si Facebook.
Në një postim në rrjetet sociale, Balla vlerësoi rolin e tyre në forcimin e imazhit të Shqipërisë jashtë kufijve dhe shprehu mirënjohje për përpjekjet e tyre në promovimin e kulturës dhe identitetit shqiptar.
“Mirënjohje për promovimin e Shqipërisë”, shkruan ai, duke theksuar rëndësinë e këtyre nismave për lidhjen e fortë mes diasporës dhe atdheut.
Ky takim është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Ministrit për të ndërtuar ura bashkëpunimi me shqiptarët në diasporë dhe për të mbështetur iniciativat që e bëjnë Shqipërinë të njohur për vlerat dhe potencialin e saj.