Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin prezantoi sot në Kuvend projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Bankës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Kjo marrëveshje synon financimin e reformave dhe integrimin ekonomik të vendit në tregun e vetëm evropian, përmes huasë prej 657.4 milionë euro dhe një granti prej 264.6 milionë euro nga BE.

“Është një koincidencë e bukur sot, ndërsa komisionerja Kos viziton Shqipërinë, në Kuvend diskutohen dy marrëveshje tepër të rëndësishme financiare mes Shqipërisë dhe BE-së. Janë marrëveshje që kanë në fokus ose garantojnë një mbështetje tepër të madhe financiare për Shqipërinë. Këtu, në emër të qeverisë, të kësaj shumice, rishprehim mbështetjen tonë të plotë për institucionet e reja të drejtësisë në pavarësinë e tyre. Falë kësaj marrëveshjeje do të vazhdojmë të garantojmë fondet për SPAK-un dhe GJKKO-n për të çuar përpara reformën në drejtësi. Për ne garantimi i pakthyeshmërisë së reformës në drejtësi është themelor. Një palë betohet se, larg qoftë, po t’i besojë populli Gjuzit, Jenisherit, udhëheqësve të “sulltanit të madhërishëm”, imagjino të rrëzojnë reformën në drejtësi. Ndaj BE-ja vazhdon të mbështesë fuqimisht shtetin shqiptar dhe qeverinë shqiptare për ta fuqizuar edhe më tej pavarësinë e institucioneve të drejtësisë.”

Ky financim është pjesë e planit të ri të rritjes për Ballkanin Perëndimor, që do të ofrojë mbështetje financiare deri në 6 miliardë euro për vendet e rajonit në periudhën 2024-2027.

Për të përfituar nga kjo ndihmë, Shqipëria ka miratuar Agjendën Kombëtare të Reformave 2024-2027, e cila përcakton prioritetet kryesore si:
– Rritja e konkurrueshmërisë ekonomike dhe investimeve.
– Zhvillimi i kapitalit njerëzor dhe arsimit.
– Transformimi digjital dhe përmirësimi i shërbimeve publike.
– Konsolidimi i energjisë së gjelbër dhe integrimi në tregun energjetik të BE-së.
– Forcimi i shtetit të së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit.

“Sot Shqipëria prodhon dy herë më shumë sesa kapacitetet prodhuese që gjetëm në vitin 2013,” tha Balla.

Ai informoi Kuvendin se nga kjo iniciativë e re zhvillimore pritet të ofrohet mbështetje financiare deri në 6 miliardë euro për periudhën 2024-2027 për të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor, si mbështetje nëpërmjet katër shtyllave të tij:

1. Integrim në tregun e vetëm të Bashkimit Evropian.
2. Integrim rajonal.
3. Integrim i përshpejtuar përmes reformave kombëtare të rritjes.
4. Instrumenti financiar për reforma dhe rritje në Ballkanin Perëndimor.

Balla kërkoi konsensus nga të gjithë deputetët për miratimin e kësaj marrëveshjeje.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu