
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, prezantoi sot në Kuvend, në emër të qeverisë, projektligjin për performancën energjetike në ndërtesa. Por së pari, duke iu referuar rregullores së Kuvendit, Balla iu përgjigj kërkesave të opozitës që projektligjin ta prezantonte Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku.
“Nenin 73 të Rregullores së Kuvendit nuk e kemi ndryshuar asnjëherë për të drejtën e deputetëve në pikën 2 për të bërë pyetje. Neni thotë: nismëtarëve ose anëtarëve të Këshillit të Ministrave që kanë lidhje me projektligjin. Ministri i Shtetit është një prej anëtarëve dhe e ka votuar projektligjin në Këshillin e Ministrave.” tha Balla.
Më tej, ministri vijoi me prezantimin e projektligjit që, sipas tij, e bën Shqipërinë vendin e parë në rajon që zbaton në mënyrë të plotë dhe ambicioze direktivën më të fundit të Bashkimit Evropian në këtë fushë.
Kjo nismë ligjore synon transformimin rrënjësor të mënyrës se si ndërtohen dhe rinovohen ndërtesat në Shqipëri, me objektivin që deri në vitin 2050, të gjitha godinat, publike dhe private të kthehen në ndërtesa me konsum minimal energjie.
Ministri Balla theksoi në fjalën e tij se ligji nuk është një përafrim formal me BE-në, por një politikë konkrete dhe e strukturuar, që vendos në qendër qytetarët, mjedisin dhe kursimin e energjisë.
Nga 1 shkurti i këtij viti, çmimi i energjisë elektrike për konsumatorët familjarë u ul me 10.5%, nga çka përfituan 95% e familjeve shqiptare – rreth 1.070.000 abonentë.
“Një familje kursen mesatarisht 100 euro në vit, vetëm nga kjo ndërhyrje që bëmë në shkurt dhe është në fokusin e qeverisë mbështetja për ata që fitojnë më pak. Të gjitha këto të dhëna janë dëshmi se Shqipëria edhe në fushën e energjisë po ecën në rrugën e duhur dhe në këtë mandat historik që na besuan shqiptarët me më shumë vota se asnjëherë tjetër, pikërisht t’i qëndrojmë besnikë fjalës së dhënë për ta përmbyllur me Shqipërinë anëtare të BE-së brenda këtij mandati.”
Ky ligj pritet me entuziazëm nga banorët që jetojnë në ndërtesa të vjetra, të cilët do të kenë mundësi konkrete për përmirësim energjetik dhe kursime afatgjata.
Shqipëria po ndërton themelet për një të ardhme energjetikisht të pavarur, më të pastër dhe më të drejtë për të gjithë.