
Skiathos, Greqi – Ministri i Shtetit, Taulant Balla po merr pjesë në edicionin e 27-të të Symi Symposium, që zhvillohet në ishullin Skiathos, Greqi. Kjo ngjarje e nivelit të lartë organizohet me ftesë të veçantë nga ish-kryeministri grek Jorgo Papandreu dhe mbledh çdo vit liderë politikë, ministra, ambasadorë, akademikë dhe përfaqësues të shquar të shoqërisë civile.
Në një reagim në rrjetet sociale, ministri Balla u shpreh:
“Ceremonia e mirëpritjes, Skiathos, Greqi #SymiSymposium2025, me ftesë të një miku të veçantë si Jorgo Papandreu, i cili, si çdo vit, bën bashkë kryeministra, ministra, ambasadorë, drejtues institucionesh dhe organizatash ndërkombëtare, ekspertë dhe profesorë universitarë.”
Në këtë sesion, diskutimet do të fokusohen në çështjet kryesore të sigurisë, paqes dhe demokracisë, me tematikë kryesore: “Paradoksi i Pandorës: Zbulimi i shpresës në një botë të trazuar. Ngritja e paqes, demokracisë dhe shoqërive të qëndrueshme.”
Simpoziumi zhvillohet në një moment sfidash të mëdha globale dhe synon të krijojë një hapësirë për dialog të thelluar mbi çështje kritike si qeverisja demokratike, ruajtja e paqes dhe ndërtimi i shoqërive të forta përballë krizave të kohës.
Prej më shumë se një çerek shekulli, Symi Symposium është kthyer në një pikëtakim unik për ide, reflektim dhe veprim konkret, që kontribuon drejtpërdrejt në forcimin e drejtësisë sociale, paqes dhe demokracisë në mbarë botën.