Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla priti në Tiranë Presidentin e institutit “ITAL”, z. Giuliano Zignani, për të diskutuar mbi forcimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Italisë në mbështetje të komuniteteve tona të përbashkëta.
Në fokus të këtij takimi ishte çelja e zyrës “UIM Albania” (Unioni i italianëve në Botë) në Tiranë, e cila do të ndihmojë shqiptarët e kthyer nga emigrimi, ata që jetojnë në Itali dhe italianët që zgjedhin të jetojnë në Shqipëri.
Gjithashtu u diskutua mbi marrëveshjen për pensionet mes dy vendeve dhe mënyrat për të lehtësuar proceset për të dyja komunitetet.
“Ky takim shënon një hap të rëndësishëm për thellimin e lidhjeve mes dy brigjeve të Adriatikut dhe për përmirësimin e shërbimeve që i ofrohen qytetarëve tanë” tha z.Balla.
ITAL, Instituti për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Punëtorëve me përvojë mbi 70-vjeçare, luan një rol të rëndësishëm në mbështetjen e qytetarëve, veçanërisht emigrantëve dhe komuniteteve në nevojë, duke ofruar asistencë sociale, shërbime për pensionet dhe mbrojtjen e të drejtave sociale e të punës.