
Ish-kreu i Republika Srpska në Bosnjë dhe Hercegovinë, Milorad Dodik, ka deklaruar se Marrëveshja e Dejtonit – që i dha fund luftës në Bosnjë – “ka dështuar”.
Në një reagim në platformën X, pas takimit me presidentin serb Aleksandar Vuçiç në Beograd, Dodik u shpreh se “Republika Srpska ka të drejtë të mbrohet”.
Sipas tij, Bosnja dhe Hercegovina “ka atrofuar” për shkak të, siç tha, mosgatishmërisë së politikës së Sarajevës për të respektuar të drejtat e Republikës Srpska. Dodik pretendoi gjithashtu se gjykatat janë shndërruar në “mjet hakmarrjeje”, duke theksuar se entiteti serb ka “të drejtën dhe detyrimin të mbrojë veten dhe popullin serb”.
Takimi me Vuçiç erdhi pas një turi vizitash të Dodikut në Izrael dhe Hungari, ndërsa deklaratat e tij pritet të rikthejnë debatet mbi funksionimin e marrëveshjes që garantoi paqen në Bosnjë dhe strukturën aktuale shtetërore të vendit.



