Një miliarder amerikan ka dhuruar 99,999 dollarë për Ahmed Al Ahmed, njeriun që u kthye në hero në sulmin e përgjakshëm në Bondi Beach, pasi u përball fizikisht me një nga autorët dhe i mori armën nga duart, duke shpëtuar dhjetëra jetë.

Sipas mediave ndërkombëtare, dhurimi maksimal online prej 99,999 dollarësh u bë nga William Ackman, CEO i Pershing Square Capital Management, i cili e cilësoi Ahmedin si një “hero të guximshëm” në një reagim në rrjetin social X.

Pamjet video të publikuara pas sulmit tregojnë momentin kur Ahmed Al Ahmed (43 vjeç), pronar i një dyqani frutash por ish polic nga Siria vrapon drejt sulmuesit, i rrëmben armën dhe më pas ia drejton atij, duke e detyruar të tërhiqet. Ky veprim vendimtar konsiderohet nga autoritetet australiane si faktor kyç që shmangu një masakër edhe më të madhe.

Një fushatë bamirësie në GoFundMe, e hapur për të mbështetur Ahmed Al Ahmed, ka mbledhur tashmë afro 1 milion dollarë, duke reflektuar solidaritetin dhe mirënjohjen e publikut për aktin e tij të jashtëzakonshëm.

Familjarët e Ahmedit kanë bërë të ditur se ai u qëllua katër ose pesë herë në shpatull gjatë përplasjes me sulmuesin dhe ndodhet ende në spital, nën kujdes mjekësor.

Autoritetet dhe drejtues politikë australianë e kanë quajtur Ahmed Al Ahmed “hero të vërtetë të jetës reale”, ndërsa historia e tij ka marrë jehonë globale si simbol i guximit qytetar përballë terrorit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu