Një aksident i rëndë ka tronditur Milanon pasditen e së premtes, 27 shkurt, kur një tramvaj i linjës 9 doli nga shinat në Viale Vittorio Veneto dhe u përplas me një ndërtesë. Bilanci është tragjik: dy persona humbën jetën dhe të paktën 48 të tjerë mbetën të plagosur.

Viktimat janë identifikuar si Ferdinando Favia, 59 vjeç nga Vigevano, dhe Abdou Karim Toure, 58 vjeç, me origjinë nga Senegali. Të plagosurit u transportuan në spitalet Policlinico, Niguarda, Fatebenefratelli dhe San Raffaele.

Sipas rindërtimit paraprak, tramvaji i modelit të ri “Tramlink”, në shërbim prej pak javësh, po lëvizte me shpejtësi drejt Piazza Oberdan, kur në kryqëzimin me Via Lazzaretto devijoi nga drejtimi i tij, doli nga shinat dhe goditi një pallat, duke rrëzuar edhe një semafor dhe duke dëmtuar fasadën e një restoranti.

Drejtuesi i mjetit u ka thënë hetuesve se është ndjerë keq para aksidentit. Ndaj tij është hapur hetim për vrasje nga pakujdesia. Kryebashkiaku i Milanos, Beppe Sala, e cilësoi ngjarjen si “tragjedi”, duke theksuar se mjeti ishte i ri dhe drejtuesi me përvojë, ndërsa një nga hipotezat kryesore mbetet një gjendje e papritur shëndetësore.

Dëshmitarët tregojnë se tramvaji “po vinte me shpejtësi” dhe se brenda mjetit pati panik dhe rrëzim pasagjerësh në momentin e përplasjes. Një pasagjer deklaroi se “mendova se ishte tërmet”.

Kompania e transportit publik ATM shprehu ngushëllime për familjet e viktimave dhe vuri në dispozicion të autoriteteve të gjitha të dhënat për zbardhjen e plotë të dinamikës së aksidentit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu