Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026 po shkojnë drejt përmbylljes, ndërsa medalja e fundit e artë iu dha Shteteve të Bashkuara, që fituan finalen e hokejit mbi akull ndaj Kanadasë.

Ceremonia zyrtare e mbylljes është planifikuar të zhvillohet në Arenën e Veronës dhe pritet të përbëjë aktin e fundit të një edicioni që ka shënuar rezultate të rëndësishme si në aspektin sportiv, ashtu edhe në atë organizativ.

Ceremonia e mbylljes në një sit të mbrojtur nga UNESCO

Zgjedhja e Arenës së Veronës për ceremoninë përmbyllëse konsiderohet një element simbolik i këtyre Lojërave, të cilat janë cilësuar si të parat Lojëra Olimpike Dimërore “të shpërndara”, me gara të zhvilluara në disa territore.

Ceremonia, me temën “Bukuria në Veprim”, synon të theksojë harmoninë mes sportit, natyrës dhe qytetit, duke bashkuar traditën me teknologjinë moderne. Organizatorët kanë bërë të ditur se mbrëmja do të përfshijë performanca artistike nga emra të njohur të skenës italiane dhe ndërkombëtare, ndërsa do të hapet nga balerini Roberto Bolle.

Renditja e medaljeve: Norvegjia në krye

Në përfundim të garave, Norvegjia kryeson renditjen me 41 medalje gjithsej (18 ari, 12 argjendi dhe 11 bronzi), duke konfirmuar dominimin e saj në sportet dimërore.

Shtetet e Bashkuara renditen të dytat me 33 medalje (12 ari, 12 argjendi, 9 bronzi), ndërsa Holanda është e treta me 20 medalje (10 ari, 7 argjendi, 3 bronzi), të gjitha të fituara në disiplinat e patinazhit.

Italia e mbyll në vendin e katërt me 30 medalje (10 ari, 6 argjendi dhe 14 bronzi), duke regjistruar rezultatin më të mirë në historinë e saj në Lojërat Olimpike Dimërore.

Top 6-shen e plotësojnë Gjermania me 26 medalje dhe Franca me 23 medalje. Në total, 29 shtete janë futur në tabelën e medaljeve.

Vlerësim institucional

Në ditën e fundit të Lojërave, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka nderuar me Urdhrin Olimpik të Artë Presidentin e Republikës Sergio Mattarella dhe Kryeministren Giorgia Meloni, si shenjë mirënjohjeje për kontributin në organizimin e këtij eventi.

Sipas organizatorëve, Milano-Cortina 2026 ka regjistruar 47% pjesëmarrje të atleteve femra dhe 88% të biletave të shitura, ndërsa modeli i organizimit të shpërndarë në disa zona është cilësuar si një sukses.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu