
Mike Maignan ka vendosur të qëndrojë te Milani, duke i dhënë fund zërave për një largim të mundshëm gjatë merkatos së verës. Portieri i kombëtares franceze, i cili ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të kuqezinjve që nga ardhja e tij në vitin 2021, ka konfirmuar besimin te projekti i ri i klubit dhe dëshirën për të vazhduar aventurën në “San Siro”.
Pavarësisht interesit nga disa klube të mëdha europiane, drejtuesit e Milanit kanë bërë të qartë se Maignan është një pjesë thelbësore e skuadrës për të ardhmen. Burime brenda klubit bëjnë me dije se bisedimet për rinovimin e kontratës janë në rrugë të mbarë, me synimin për ta mbajtur portierin francez në kryeqendrën e modës edhe për shumë vite të tjera.
Maignan, i njohur për pritjet vendimtare dhe lidershipin në fushë, shihet si një nga pikat kyçe të projektit të ri kuqezi që synon rikthimin në majat e futbollit italian dhe europian.