
Lezhë – Mijëra qytetarë nga Shqipëria dhe Kosova, që zgjodhën bregdetin e Shëngjinit dhe Velipojës për të kaluar fundjavën, mbetën të bllokuar për orë të tëra në trafik – një rrugë 20 kilometra e përshkuar për më shumë se nëntë orë!
Pamjet me dron nëpër media tregojnë radhë kilometrike, ndërsa mijëra qytetarë kaluan orë të tëra në vapë e ankth, të braktisur nga strukturat që duhej të kishin garantuar lëvizjen normale në këtë segment strategjik.
Trafiku nisi rreth orës 17:00 të së dielës dhe përfundoi vetëm në orët e para të mëngjesit të së hënës, rreth orës 02:00 duke e kthyer një rrugë kombëtare në një ferr të vërtetë për qytetarët.
Një segment dykalimsh, si Balldre-Milot, është lënë në mëshirë të fatit në kulmin e sezonit turistik, duke dëshmuar jo vetëm paaftësi menaxhuese, por edhe një mospërfillje të frikshme për jetën dhe kohën e qytetarëve.
Situata u përkeqësua edhe nga sjellja skandaloze e disa shoferëve të papërgjegjshëm, të cilët me parakalime të rrezikshme dhe shpejtësi të lartë, rrezikuan jetën e të gjithëve. Bilanci? 4 aksidente, 9 të plagosur, përfshirë edhe një motor.
Ndërkohë, Bashkia e Lezhës ka bërë publike disa masa, si ndalimi i qarkullimit të mjeteve të tonazhit të rëndë dhe heqja e parkimeve anësore në Shëngjin, por këto ndërhyrje janë shumë pak dhe shumë vonë.
Problematikat nuk mbarojnë në veri. Edhe rrugët që të çojnë drejt bregdetit të Durrësit apo Jugut janë kthyer në nyje të bllokuara: Ura e Dajlanit, Plepave, Golemi, Maminas – Gjiri i Lalzit, Rrogozhina, Bradashesh-Elbasan, e deri te fluksi që vjen nga Pogradeci dhe Korça, janë të gjitha pika të nxehta që asnjë institucion nuk po arrin t’i menaxhojë.
Nëse kjo është panorama që ofrohet në fillim të qershorit, çfarë do të ndodhë në korrik dhe gusht?