
Mijëra kafshë ekzotike, nga zogjtë dhe reptilët deri te specie të rralla nga Afrika dhe Amerika Latine, po përfundojnë çdo vit në shtëpitë e qytetarëve në Bashkimin Europian, duke ngritur shqetësime serioze për trafik ilegal dhe keqtrajtim.
Sipas të dhënave të publikuara nga Euronews, europianët mbajnë rreth 90 milion qen dhe mbi 100 milion mace, por gjithnjë e më shumë po rritet interesi për kafshë të egra si servalët, gjarpërinjtë apo zogjtë tropikalë.
Organizatat për mbrojtjen e kafshëve paralajmërojnë se këto specie nuk janë të përshtatshme për t’u mbajtur në ambiente shtëpiake, pasi kërkojnë kushte shumë specifike jetese dhe kanë nevoja komplekse ushqimore dhe sociale.
Një tjetër problem madhor mbetet trafiku ilegal. Sipas organizatës TRAFFIC, rreth 28% e sekuestrimeve të kafshëve të egra në vitin 2023 kishin si destinacion tregun e kafshëve ekzotike, duke e bërë këtë një nga sektorët më të mëdhenj të tregtisë ilegale në BE.
Speciet e rrezikuara, si panda e kuqe apo makaku i Barbary, janë të ndaluara për tregtim sipas konventës ndërkombëtare CITES, por vazhdojnë të jenë objekt i kontrabandës për shkak të vlerës së lartë në treg.
Ekspertët theksojnë se kafshët e trafikuara shpesh transportohen në kushte çnjerëzore dhe përballen me probleme shëndetësore edhe pasi mbërrijnë tek pronarët, ndërsa në disa raste mund të paraqesin rrezik edhe për njerëzit përmes sëmundjeve zoonotike./ Euronews






