Një situatë dramatike është duke ndodhur në Izrael, ku zjarre të fuqishme kanë përfshirë pyje dhe zona të banuara në afërsi të Jeruzalemit, duke detyruar autoritetet të shpallin gjendje të jashtëzakonshme kombëtare.

Kryeministri Benjamin Netanyahu deklaroi emergjencën të mërkurën, pasi flakët shpërthyen pranë autostradës Tel Aviv-Jeruzalem, duke çuar në evakuimin e mijëra banorëve dhe mbylljen e rrugës.

Zjarret kanë djegur mbi 5000 hektarë tokë, përfshirë 3000 hektarë pyje, ndërsa janë trajtuar të paktën 23 persona për asfiksi dhe djegie, mes tyre edhe fëmijë. 21 zjarrfikës janë plagosur gjatë përpjekjeve për shuarjen e flakëve.

Në ndihmë të Izraelit po vijnë avionë nga Greqia, Italia, Kroacia, Franca, Spanja, Ukraina, Qiproja, Britania dhe vende të tjera europiane për të ndihmuar në përballimin e situatës.

Komandanti i zjarrfikësve në Jeruzalem e përshkroi situatën si “ zjarrin më të madh që ka ndodhur ndonjëherë në vend”, duke paralajmëruar se lufta me flakët do të vazhdojë për një kohë të gjatë.

Zjarret janë përkeqësuar nga era e fortë dhe temperaturat e larta, duke detyruar autoritetet të anulojnë festimet për Ditën e Pavarësisë së Izraelit. Ndërkohë, ka edhe dyshime për zjarrvënie të qëllimshme, ku kryeministri Netanyahu përmendi 18 arrestime, megjithëse policia ka konfirmuar vetëm 3 persona të ndaluar për zjarrvënie të mundshme.

Gjendja mbetet kritike dhe autoritetet paralajmërojnë se zjarret mund të përhapen më tej nëse kushtet atmosferike nuk përmirësohen./balkanweb

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu