Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, vizitoi kompaninë shqiptare që prodhon pjesë për avionë, e cila është në pronësi të një pjesëtari të diasporës shqiptare në Miçigan.
Në kompaninë e tij ka shumë shqiptarë dhe madje edhe amerikanët kanë mësuar shqip, tregon pronari Agim Lumani teksa u rrëfen miqve nga vendlindja mjediset e uzinës së tij me 70 punëtorë dhe shumë procese të automatizuara.
“Vëllezër e motra, është një surprizë shumë e bukur që të vish në një uzinë amerikane në Miçigan dhe jo vetëm që sipërmarrësi të jetë shqiptar, por edhe pozicionet kyçe të jenë të gjithë shqiptarë dhe shumica e punonjësve të jenë shqiptarë. Më vjen mirë që Agimi një pjesë të punëve këtu do t’i transferojë në Shqipëri, dhe ky është modeli më i mirë që ne duam. Që shqiptarët e suksesshëm këtu në SHBA të investojnë edhe në Shqipëri. Sikurse do të donim të krijonim gjithnjë e më shumë kushtet që secili prej jush ta rimendojë edhe rikthimin në Shqipëri. E di që disa prej jush ndjehen mirë këtu, por me këtë të ftohtë që bën këtu, është më mirë atje te ne, pavarësisht se shumica këtu është prej Korçe dhe jeni mësuar që ta përballoni,” deklaroi Balla.
Balla u rikujtoi punëtorëve në uzinë që të regjistrohen dhe votojnë më 11 maj.