Gjigantët e teknologjisë Meta Platforms, TikTok dhe YouTube do të përballen këtë javë me një proces gjyqësor në Kaliforni, përballë akuzave se platformat e tyre kanë kontribuar në përkeqësimin e shëndetit mendor të të rinjve, duke nxitur varësi përmes dizajnit dhe mënyrës së funksionimit.

Çështja, që po cilësohet si një “rast testues”, është ngritur nga një 19-vjeçare nga Kalifornia, e identifikuar në dokumentet gjyqësore si K.G.M., e cila pretendon se është bërë e varur nga rrjetet sociale që në moshë të re. Sipas padisë, përdorimi i vazhdueshëm i këtyre platformave ka ndikuar negativisht në gjendjen e saj mendore.

Ky është rasti i parë nga një seri procesesh të ngjashme që pritet të zhvillohen gjatë këtij viti, ku kompanitë e mëdha të teknologjisë do të detyrohen të mbrohen në gjykatë për dëmet e pretenduara nga përdorimi i produkteve të tyre.

Juria do të duhet të vendosë nëse kompanitë kanë vepruar me neglizhencë dhe nëse përdorimi i aplikacioneve ka qenë një faktor thelbësor në përkeqësimin e shëndetit mendor të paditëses, krahas faktorëve të tjerë si përmbajtja e palëve të treta apo rrethanat jashtë rrjeteve sociale.

Në gjyq pritet të dëshmojë edhe drejtori ekzekutiv i Meta-s, Mark Zuckerberg. Kompania ka deklaruar paraprakisht se do të argumentojë se produktet e saj nuk janë shkaku i problemeve të shëndetit mendor të paditëses. Ndërkohë, kompania Snap, e cila ishte përfshirë fillimisht në padi, ka arritur një marrëveshje jashtë gjykate dhe është tërhequr nga procesi.

YouTube, nga ana e saj, pritet të mbrojë qëndrimin se platforma funksionon ndryshe nga rrjetet sociale si Instagram dhe TikTok dhe nuk duhet të trajtohet njësoj në këtë çështje. TikTok nuk ka komentuar mbi strategjinë e saj ligjore.

Paralelisht me procesin gjyqësor, kompanitë teknologjike po intensifikojnë përpjekjet për të bindur opinionin publik se platformat e tyre janë të sigurta për të miturit, duke promovuar mjete të kontrollit prindëror dhe programe ndërgjegjësimi për përdorimin e internetit.

Ekspertët ligjorë theksojnë se ky proces mund të ketë pasoja të rëndësishme për mënyrën se si rregullohen dhe vlerësohen rrjetet sociale në raport me shëndetin mendor të të rinjve në të ardhmen.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu