
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar ashpër ndaj propozimeve për ndryshimet në Kodin Penal, duke i cilësuar ato si përpjekje për të mbrojtur politikanët nga arrestimi dhe ndjekja penale.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta ironizoi atë që e quajti “neni afrikan i Edi Rama”, duke pretenduar se ndryshimet synojnë të krijojnë një standard të papranueshëm për një vend që aspiron anëtarësimin në Bashkimi Europian.
Sipas tij, iniciativa rrezikon të dëmtojë parimin e barazisë para ligjit dhe të minojë besimin tek drejtësia. Meta theksoi se çdo reformë duhet të forcojë shtetin e së drejtës dhe jo të krijojë privilegje për zyrtarët e lartë.
Reagimi i tij vjen në një kohë kur debati politik mbi ndryshimet në Kodin Penal është intensifikuar, duke nxitur përplasje mes shumicës dhe opozitës.



