
Tiranë – Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në një intervistë ekskluzive për “Syri.net” ka folur për zhvillimet politike, shkarkimin e Erion Veliajt, qeverinë “Rama 4” dhe situatën e tij në paraburgim, ku denoncoi se edhe bidonat e ujit që përdor për stërvitje i janë shpërthyer me vrimë.
Meta e cilësoi shkarkimin e Veliajt si “një akt shumë të vonuar dhe të pamoralshëm”, duke shtuar se këshilltarët socialistë duhet të kishin dhënë dorëheqjen bashkë me të. Ai e lidh vendimin për arrestimin e ish-kryebashkiakut të Tiranës me një lëvizje të Edi Ramës për të eliminuar rivalin e mundshëm brenda PS.
“Veliaj nuk po gjykohet për aferat e mëdha, si inceneratori i Tiranës ku qytetarët paguajnë 12 milionë euro në vit, por për çështje dytësore që nuk implikojnë Ramën. Përfituesi kryesor i inceneratorit është vetë Kryeministri”, u shpreh Meta.
Sa i takon kandidatit të opozitës për Bashkinë e Tiranës, kreu i PL theksoi se duhet të jetë një figurë me “grintë, përfaqësuese dhe e kundërta e kandidates së Ramës, e cila mishëron nënshtrimin ndaj interesave mafioze për shkatërrimin e kryeqytetit”.
Meta kritikoi ashpër edhe kabinetin e ri qeveritar, të cilin e quajti “Rama dhe 17 Diella”, duke e cilësuar si një qeveri pa vizion për integrimin europian dhe me prioritet shpopullimin e vendit.
Në lidhje me çështjen e tij personale, Meta tha se do t’i shkojë deri në Strasburg procesit gjyqësor që e quan “pengmarrje politike për të frikësuar opozitën”. Ai tregoi edhe një episod nga paraburgimi:
“Familjarët më sollën dy bidona uji 20 litra për stërvitje. Pasi i mbajtën 9 ditë, m’i sollën me vrima që të rridhte uji. Pastaj sollën edhe një tjetër, sërish me problem. Kjo është prova e ordinerizmit të Edi Ramës, i cili merret deri me bidonat e ujit”, deklaroi Meta.
Sipas tij, qeveria ka krijuar një klimë represive, ndërsa shqiptarët po largohen masivisht, duke rrezikuar shkombëtarizimin e vendit. “Fuqizimi i opozitës është emergjencë për të larguar këtë pushtues që i ka bërë më shumë dëm vendit se çdo pushtues i huaj”, përfundoi Meta.